Mbahet me sukses pjesa e parë e Provimit të Maturës

Komisioni Shtetëror i Maturës ka vlerësuar se pjesa e parë e Maturës Shtetërore, të cilës i janë nënshtruar rreth 8.500 maturantë, ka përfunduar me su

Komisioni Shtetëror i Maturës ka vlerësuar se pjesa e parë e Maturës Shtetërore, të cilës i janë nënshtruar rreth 8.500 maturantë, ka përfunduar me sukses.

Sipas raporteve të marra nga qendrat ku është organizuar testimi në gjithë vendin, Komisioni ka konstatuar se testet janë shpërndarë me kohë, nuk ka pasur mungesa të testeve në asnjë qendër testimi, administratorët dhe kryetarët e qendrave të testimit kanë arritur me kohë në çdo qendër dhe i tërë procesi ka përfunduar në kohën e paraparë.

KShM thekson se tentimet për përdorimin e rrjeteve sociale për kopjim kanë qenë minimale dhe ato janë identifikuar dhe raportuar nga qendrat e testimit.

Për të parë nga afër mbarëvajtjen e këtij procesi, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i shoqëruar nga drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, ka vizituar nxënësit që po testoheshin në qendrën e testimit në shkollën “Gjin Gazulli” në Prishtinë.

“Këtu pamë se gjithçka po shkon në rregull. Me kohë janë shpërndarë testet dhe po shpresojmë që Matura të dalë sa më e suksesshme. Tani është më lehtë, sepse kemi vetëm 8.500 maturantë dhe iu urojmë të gjithëve që të kalojnë maturën dhe të kyçen në arsimin e lartë”, tha ministri.

Provimit të Maturës Shtetërore (afati i gushtit) i janë nënshtruar mbi 8.500 maturantë, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e qershorit.

Provimi është organizuar në 86 qendra të testimit në gjithë Kosovën, është administruar nga 600 administrues dhe është monitoruar nga monitorues të angazhuar nga MAShT, derisa sigurimin e objekteve e ka bërë Policia e Kosovës.

Pjesa e dytë e Provimit të Maturës Shtetërore (afati i gushtit) mbahet më 3 shtator 2016.

COMMENTS