Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur prapa shtëpisë së drejtorit të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës, Mentor Shala, por ka kaluar pa pasoja
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur prapa shtëpisë së drejtorit të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës, Mentor Shala, por ka kaluar pa pasoja në njerëz.
Raportohet se shpërthimi ka ndodhur të dielën, rreth orës 22:10 në rrugën ‘Muharrem Fejza’ në Prishtinë.
‘Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, që ka tronditur tërë lagjen. Mjeti shpërthyes është hedhur prapa shtëpisë sime. Në shtëpi kemi qenë e gjithë familja. Fatmirësisht nga ky shpërthim askush nuk është lënduar’, citohet të ketë thënë zoti Shala.
Policia ka filluar hetimet për autorët apo motivet e mundshme të këtij shpërthimi, që pasoi sulmin e 22 gushtit në ndërtesën e RTK-së.
Qeveria e Republikës së Kosovës përmes një komunikate dënon ashpër këtë sulm.
Ky akt kriminal, është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së mediave në Kosovë dhe përpjekje për pengimin e fjalës së lirë, si një prej vlerave më të rëndësishme në shoqërinë kosovare, përcjellë zico.tv
Qeveria e Kosovës fton organet kompetente që të ndriçojnë këtë rast dhe që kryesit e nxitësit e tij të përballen me forcën e ligjit, dhe po ashtu që të merren të gjitha masat për parandalimin e sulmeve të tilla në të ardhmen.
COMMENTS