Isa Mustafa: Nuk mund t’i marrim 8200 hektarë pa pëlqimin e pronarëve dhe shtetit të Malit të Zi

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa thotë se në debatin e mbajtur më 3 gusht për demarkacionin me Malin e Zi, një pyetje bazike është ngritur se a ka p

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa thotë se në debatin e mbajtur më 3 gusht për demarkacionin me Malin e Zi, një pyetje bazike është ngritur se a ka pala malazeze të dhëna kadastrale për pronat që “kanë mbetur andej kufirit, e për të cilat opozita dhe disa ekspertë pretendojnë se janë të Kosovës”.

Mustafa thotë se Kosova nuk do të jap asnjë pëllëmbë të tokës me të cilat ka administruar Kosova por edhe nuk do të mund të marr 8200 hektarë tokë, për të cilat pretendohet “nga disa persona privat dhe publik që i kanë të evidentuara në Mal të Zi pa pëlqimin e këtyre pronarëve dhe shtetit të Malit të Zi”.

Postimi i plotë i kryeministrit Mustafa:

Të nderuar qytetarë

Në debatin e mbajtur më dt 3 gusht të këtij viti për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, një pyetje mjaftë bazike ishte se a ka pala malazeze të dhëna kadastrale për pronat që kanë mbetur andej kufirit, e për të cilat opozita dhe disa ekspert pretendojnë se janë të Kosovës. Një pyetje e tillë u shtrua edhe sot në takimin me liderët politik, në të cilin morën pjesë edhe ambasadorët e Kuintit.

Edhe pse e kisha sqaruar këtë çështje më parë me Komisionin Shtetëror, sot kërkova dokumentacion analitik lidhur me këtë. U dëshmua se ekzistojnë 11 zona kadastrale në anën e Malit të Zi, përgjatë kufirit me Kosovën, parcelat kadastrale me numra përkatës dhe emrat e pronarëve, qoftë privat apo publik.

Në fillim të javës tjetër Komisioni do ta bëjë publike për opinionin evidencën e të gjitha këtyre zonave kadastrale nga pjesa e Malit të Zi. Po ashtu do të japë adresën në internet, ku çdo deputet i interesuar, zyrtar apo qytetar i Kosovës mund të vërtetoj pronësinë dhe komunën në të cilat janë të regjistruara ato prona.

Ne nuk do të japim asnjë pëllëmbë tokë me të cilat ka administruar Kosova dhe Komuna e Pejës, por nuk mund ti japim të drejtë vetes, që pronat e pronarëve të cilat i kanë të evidentuara dhe administrohen në komunën e Rozhajës apo të Plavës, ti shpallim prona të Kosovës.

Në mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk ka tokë të askujt, apo “terra nulleus”. Çdo tokë e ka titullarin e pronës dhe është e evidentuar ose në komunat e Kosovës ose në ato të Malit të Zi. Ne nuk do të mund ti marrim 8200 hektarë, për të cilat pretendohet, nga personat privat dhe publik që i kanë të evidentuara në Mal të Zi pa pëlqimin e këtyre pronarëve dhe të Shtetit të Malit të Zi.

Qeveria e ka bërë punën e saj në mënyrën më të përgjegjshme, ndërkaq ratifikimi i Marrëveshjes është kompetencë dhe përgjegjësi e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. IM

COMMENTS