Drejtuesit e vendit: Sulmi ndaj Kuvendit, sulm ndaj pavarësisë

Drejtuesit shtetëror në vend e kanë dënuar ashpër sulmin mbi Kuvendin e Kosovës. Ata i ftojnë organet përkatëse që të zbardhin sa më shpejt rastin dhe

Drejtuesit shtetëror në vend e kanë dënuar ashpër sulmin mbi Kuvendin e Kosovës. Ata i ftojnë organet përkatëse që të zbardhin sa më shpejt rastin dhe të sjellin përpara drejtësisë autorët e sulmit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se ‘ajo për të cilën të gjithë duhet të pajtohemi është se dhuna nuk duhet të ketë vend në Kosovë’ dhe ka shtuar se sulmuesit ‘janë njerëz që nuk e duan Kosovën, që nuk ia duan të ardhmen evropiane qytetarëve tanë dhe nuk duan që fëmijët e Kosovës të rriten në paqe’.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka cilësuar si ‘atak ndaj pavarësisë’ sulmin mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, të enjten në mbrëmje.

Në një reagim të tij përmes rrjeteve sociale, Mustafa ka thënë se ‘akujt nuk i lejohet që të terrorizojë institucionet e vendit’, duke cilësuar Kuvendin si ‘organin më të lartë legjislativ dhe simbol i rregullimit tonë shtetëror dhe demokratik’.

Kryeministri i Kosovës i bëri thirrje organeve të drejtësisë që të zbardhin sa më shpejtë rastin dhe që kryesit e veprës të dalin përpara drejtësisë. Ai kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve për organet e ndjekjes për të zbardhur rastin.

Kuvendi i Kosovës është sulmuar me mjet shpërthyes nga distanca, të enjten në mbrëmje rreth orës 23:00 nga persona të panjohur. Zyrtarë policorë thonë se nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale në ndërtesën e Kuvendit por nuk ka pasoja në njerëz.

‘Policia e Kosovës me njësitet relevante të saj menjëherë ka reaguar në lokacion dhe veprime intensive operative dhe hetimore janë duke u kryer për të identifikuar të dyshuarit e involvuar në këtë rast’, tha zëdhënësi i policisë Daut Hoxha.

Policia e Kosovës tha se në një pjesë të qytetit të Prishtinës, jo larg nga vendi sulmit është gjetur një motoçikletë që po digjej, pak kohë pas shpërthimeve.

Policia nuk e përjashtoi mundësinë e përdorimit të saj nga persona të përfshirë në shpërthim, megjithëse tha se ende po bëhen hetime.

Motivet e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendi të Kosovës nuk dihen ende, po aq sa edhe autorët e tij.

Shpërthimi ndodhi në kohën kur kishte lëvizje të qytetarëve në shëtitoren e qytetit të Prishtinës.

Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj sulmit të mbrëmshëm mbi Kuvendin e Kosovës, duke e konsideruar si akt të organizuar kriminal, kundër vlerave të institucionit më të lartë legjislativ të vendit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti në opozitë, në reagimin e saj duke dënuar sulmin e ka cilësuar ‘si sulm mbi shtetin, mbi demokracinë dhe mbi të gjithë qytetarët e Kosovës’

‘Kushdo që qëndron prapa këtij shpërthimi apo sulmi, çfarëdo që të jetë ai, është kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj’ thuhet në një deklaratë të AAK-së e cila kërkon kapjen e autorëve të sulmit dhe nxjerrjen përpara drejtësisë.

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës u sulmua para jo më shumë se gjashtë muajsh me koktej molotovi, dhe as atëherë nuk u zbuluan motivet dhe as autorët e sulmit.

COMMENTS