DokuFest nis të premten, temë qendrore ka korrupsionin

Në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, është prezantuar programi i plotë i edicionit të 15-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokume

Në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, është prezantuar programi i plotë i edicionit të 15-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, ‘DokuFest’, i cili mbahet nga data 5 gusht deri më 13 gusht.

Si zakonisht ky festival do të mbahet në qytetin e Prizrenit, në të cilin do të prezantohen 238 filmat e përzgjedhur nga mbi 5 mijë sa kishin aplikuar.

Temë qendrore e festivalit për këtë vit do të jetë korrupsioni si dhe pasojat e tij.

Në konferencën e përvitshme të Dokufestit, para nisjes së festivalit, Nita Deda, drejtoreshë e festivalit, tha se këtë vit DokuFest ka një program të pasur të filmave.

Ajo tha se është shënuar numër rekord i aplikimeve, duke e bërë programin e sivjetmë më të madhin dhe më kualitativin.

Në konferencë, i pranishëm ishte edhe drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari, i cili tha se këtë vit në festival do të jenë edhe dy kategori të filmbërësve, që kanë ndërruar jetë.

Bëhet fjalë për dy filmat më të njohur të regjisorit iranian Abbas Kiarostami, Taste of Cherry dhe Close-Up.

Ndërsa, regjisorja Chantal Akerman do të nderohet me premierën botërore të një interviste të dhënë në Prishtinë, para se të vdiste.

Selektori i programit të filmave të shkurtër, Samir Karahoda foli për filmat kombëtar, të cilët do të kenë premierën në këtë edicion të festivalit.

Ai bëri të ditur se këtë vit do të ketë 10 premiera të filmave kombëtar, të cilët do të shfaqen më 8, 9 dhe 10 gusht.

Drejtori ekzekutiv i DokuFest, Eroll Bilibani foli për programin e pasur të panelëve, të cilët janë pjesë e programit përcjellës të festivalit.

Ai ka theksuar edhe mungesën e përkrahjes së institucioneve dhe Komunës së Prizrenit, të cilat sipas tij, janë arsyetuar me procedura burokratike.

COMMENTS