70 mijë euro përkrahje për Teatrin e Gjilanit

Komiteti për Kulturë, Rini e Sport, i ka dhënë sot mbështetje kërkesës së Njësisë për Kulturë, Rini e Sport për ndarjen e një shumë prej 70 mijë euros

Komiteti për Kulturë, Rini e Sport, i ka dhënë sot mbështetje kërkesës së Njësisë për Kulturë, Rini e Sport për ndarjen e një shumë prej 70 mijë eurosh për Teatrin e Qytetit, si nevojë emergjente për funksionimin e këtij institucioni, i cili prej disa vitesh po përballet me probleme të tilla, shkaku i statusit të padefinuar.

Shpresa Kurteshi, kryesuese e KKRS, ka thënë se këto mjete janë të nevojshme për kompensimin e pagave të aktorëve për 6 muaj si dhe për financimin e tri shfaqjeve të planifkuara për këtë pjesë të dytë të vitit.

Ajo ka thënë se KKRS i ka trajtuar rregullisht dhe me përkushtim të madh të gjitha problemet në Teatër dhe është shprehur optimiste se kërkesa për ndarjen e mjeteve, do të has në përkrahje edhe te Komitetit për Politikë dhe Financa si dhe në Kuvendin Komunal, ku merret vendimi përfundimtar.

Udhëheqësi i Sektorit për Kulturë, Kujtim Shahiqi, ka thënë se ky sektor po përballet me shumë probleme, duke shtuar se aktorët nuk kanë marrë paga për 6 muaj. Barrë tjetër në Teatër është edhe stafi teknik, që duhet të paguhet nga ky buxhet, meqë statusi i tyre është i padefinuar, ka thënë Shahiqi.

Bashkim Nexhipi, koordinator i Njësisë për Kulturë, Rini e Sport, ka thënë se nga shuma e mjeteve të kërkuar, 37.842 euro nevojiten për stafin e teatrit, ndërsa pjesa tjetër, për realizimin e tri projekteve, ‘Vdekja aksidentale e një anarkisti’, ‘Toc – Toc’ dhe ‘Im at e donte Adolfin’.

‘Nuk është këtu pyetja a mund të sigurohen këto mjete, sepse këto mjete duhet të sigurohen, ndryshe teatri nuk funksion’, ka thënë Nexhipi.

Shpresa Hajdari, ish-drejtoreshë e Kulturës, ka thënë se gabimi ishte bërë atëherë kur Teatri u shkëput prej Kulturës dhe aktorët u hoqën nga lista e pagave si shërbyes civilë. Statusi i Teatrit dhe aktorëve duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, ndryshe ky institucion nuk mund të funksionojë siç duhet me subvencione.

Hajdari e ka vlerësuar të pakuptueshme që një aktor, i cili e ka kaluar një jetë të tërë në teatër, tani është i detyruar të hyjë në intervistë për punë në këtë institucion.

COMMENTS