Në Prishtinë po zhvillohet debati për demarkacionin me Malin e Zi

Në Kuvendin e Kosovës ka filluar debati publik për Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në të cilin marrin pjesë zyrtarët më të lart

Në Kuvendin e Kosovës ka filluar debati publik për Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në të cilin marrin pjesë zyrtarët më të lartë të Kosovës, deputë të partive në qeveri dhe të atyre në opozitë, pastaj ambasadorë të shumë vendeve, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara, Greg Delawie, profesionistë, përfaqësues të shoqërisë civile, e të tjerë.

Tash një kohë të gjatë partitë opozitare në Kosovë e kundërshtojnë fuqishëm këtë marrëveshje dhe kjo ka çuar në bllokadë të Kuvendit të Kosovës për disa muaj.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Kosovës paraqet kusht për liberalizimin e vizave të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli e ka cilësuar mbajtjen e këtij debati si një ditë shumë të rëndësishme për vendin, demokracinë e shtetit, për qytetarët e Kosovës si dhe për fqinjët e partnerët ndërkombëtarë.

‘Vërtetë kjo ditë është e veçantë për të gjithë qytetarët e vendit. Kemi kaluar një vit të plotë i cili nuk ka qenë i lehtë me disa tema që kanë pasur të bëjnë me sovranitetin e Kosovës, me interesat e qytetarëve tanë që jetojnë në pjesë të caktuara, dhe kemi pasur të bëjmë me një marrëveshje me fqinjët tanë në Mal të Zi. Unë e konsideroj sukses të jashtëzakonshëm. Kjo është mënyra se si ne duhet të debatojmë edhe në kohët kur ne nuk merremi vesh, të ballafaqohemi me fakte e argumente’, ka thënë Veseli.

Veseli ka shtuar se Kosova është e interesuar që të zhvillojë marrëdhënie të mira me Malin e Zi.

Në fjalimin e tij Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tha se ky debat i ka munguar vendit dhe se do të jetë kontribut për transparencën.

Që në fillim ai tha se çështja e demarkacionit është inekzistente. Kosova, shtoi pastaj ai, nuk e ka humbur asnjë centimetër gjatë demarkacionit me Malin e Zi. Sipas tij, përmes këtij procesi nuk është rishkruar historia, vetëm është bërë shënjimi i kufirit.

Në vazhdim ai lexoi pikën e 12 të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Presidenti rikujtoi rëndësinë e shënjimit të kufirit si provë të pavarësisë e të sovranitetit të shtetit, të njohjes ndërkombëtare. Shënjimi i kufirit tha ai është po ashtu detyrim ndërkombëtar. Rikujtoi edhe rolin e Malit të Zi në njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Ai ftoi për debat të mirëfilltë e demokratik, pas të cilit tha se Qeveria duhet të procedojë për përfundimin e këtij procesi.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje që janë të ftuar në debatin për demarkacioni, kanë lëshuar sallën për të bojkotuar fjalimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Bojkotimin e sallës nga ana e Vetëvendosjes Donika Kadaj-Bujupi e ka arsyetuar me atë se Hashim Thaçi ‘nuk është as president as ekspert. Dhe nuk duhet të bëj presion. Marrëveshja nuk kalon. Do të kthehemi për t’i dhënë faktet tona. Nuk presim shumë rezultate. Jemi këtu për të dhënë argumentet tona’, tha Kadaj-Bujupi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë fjalimit të tij në debatin për demarkacionin me Malin e Zi, ka thënë se deri më tani nuk është dëshmuar se shqiptarët kanë humbur pronë me marrëveshjen e nënshkruar për demarkimin e kufirit.

‘Pas nënshkrimit të marrëveshjes një vit më parë, si kryeministër kam bërë thirrje që të dokumentojnë çdo formë të mundshme nëse ndonjë pronë e tyre, për të cilat është paguar tatim në Kosovë, tani ka kaluar në Malin e Zi’

‘Nuk është dëshmuar asnjë pëllëmbë tokë se ndonjë pronë ka kaluar në Malin e Zi. Ne na obligon pakoja e Ahtisaarit që të kemi kufijtë e vitit 1974’, ka shtuar ai.

Ai e ka konsideruar sukses të Kosovës shënimin e vijës kufitare me shtetet fqinje. Mustafa ka thënë se demarkacioni kontribuon në sigurinë dhe paqen në rajon.

COMMENTS