E fundit që duhet të dimë ne shqiptarët për Amerikën: Amerika e sjell botën me para, por paraja e sjell edhe Amerikën!

Nga Jusuf Thaçi Shtetet e Bashkuara të Amerikës – SHBA (apo Amerika siç i themi ne) është shteti më i fuqishëm dhe shteti më me ndikim në botë so

Nga Jusuf Thaçi

Jusuf Thaçi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës – SHBA (apo Amerika siç i themi ne) është shteti më i fuqishëm dhe shteti më me ndikim në botë sot. Andaj, ne shqiptarët jemi me fat që e kemi pasur, e kemi dhe do ta kemi përkrahjen amerikane. Por, një gjë duhet ta dimë mirë ne shqiptarët, sidomos ne në Kosovë: ‘ne nuk i kemi le n’bahçe t’babës Amerikës’ që ajo t’i kryej punët e detyrat tona apo të merret me politikën tonë ditore!. Harrojeni këtë!

Shumica e mediave dhe e politikanëve shqiptarë në Kosovë kanë krijuar iluzion tek publiku kosovar sikur Kosova është vazhdimisht krye-prioritet i Amerikës. Thua se çdo mëngjes Presidenti amerikan, Sekretari i Shtetit amerikan dhe të gjithë kongresistët amerikanë fillimisht i shqyrtojnë e i zgjidhin çështjet e problemet e Kosovës, e veç mandej merren me problemet tjera vendore e ndërkombëtare. Naivitet absurd!

Amerika sot ka shumë çështje problematike të rëndësishme globale, si fuqizimi i Rusisë, konfliktet në Lindjen e Mesme, lufta në Siri, problemi me Iranin e me Korenë e Veriut, etj., sa Kosova as nuk është, as nuk mund të jetë e as që mund të pritet të jetë krye-prioritet, në fakt as prioritet, i Amerikës. Edhe po të mos ishin këto probleme globale, Kosova nuk ka pse të jetë as prioritet e as krye-prioritet i Amerikës, sepse Amerika e ka kryer punën e vet në raport me Kosovën. Kosova është çliruar dhe është shtet i pavarur. Amerika nuk vjen me lidhë kriminelë, hajna e injorantë në Kosovë, që ne i kemi vënë vet në pushtet. Harrojeni këtë!

Amerika si superfuqi botërore i ka makro-interesat e veta shtetërore që lidhen me sigurinë, gjeopolitikën, gjeostrategjinë, ekonominë, etj., dhe vetëm me këto makro-interesa shtetërore në nivel global merren instancat më të larta të shtetit amerikan, siç është Presidenti, Kongresi e Sekretari i Shtetit (normalisht edhe agjencitë shtetërore përkatëse). Gjithçka që del jashtë këtyre makro-interesave amerikane, ju lihet në dorë instancave më të ulëta amerikane, siç janë edhe ambasadorët amerikanë, të cilët kanë mundësi manovrimi derisa nuk cenohen makro-interesat amerikane.

Fatmirësisht, historia e ka dëshmuar që shqiptarët hyjnë në kuadër të këtyre makro-interesave amerikane (për shkak të vend-ndodhjes, identitetit kombëtar, qëndrimit anti-sllav, etj.), prandaj Amerika i ka ndihmuar shqiptarët në momentet kyçe, prandaj, në shenjë mirënjohjeje, shqiptarët janë populli më pro-amerikan në botë sot. Të gjitha këto dëshmohen qartë me rastin e Kosovës, që është dhe më i freskët. Kur rrezikohej qenia shqiptare në Kosovë, ishte Presidenti Bill Klinton që u mor personalisht me çështjen e Kosovës dhe falë Amerikës Kosova u çlirua. Kur gjithë bota luante tezesh e eksperimentonte me Kosovën e pasluftës, ishte Presidenti Xhorxh Bush (i Riu) që personalisht tha ‘mjaft’ dhe e shpalli pavarësinë e Kosovës gjatë vizitës në Shqipëri (kjo shpallja formale ka qenë procedurë pastaj). Por, nuk duhet harruar që në kuadër të makro-interesave amerikane Amerika i siguron edhe makro-interesat shqiptare, në këtë rast të Kosovës, por jo edhe çështjet dhe interesat tona ditore, sepse kjo është punë e detyrë e jona, jo e Amerikës.

Fatkeqësisht, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Kosovës i kanë ndodhur dy të këqija të mëdha: 1) Kosova më nuk mund të jetë prioritet amerikan sa për t’u marrë me të instancat e larta amerikane (derisa të rrezikohet ekzistenca e qenies shqiptare në Kosovë) dhe 2) Lobi shqiptar në Amerikë (që është marrë kryesisht me çështjen e Kosovës) pothuajse ka vdekur. Lobi shqiptar në Amerikë ka qenë shumë aktiv e shumë i fuqishëm, falë shqiptarëve të Amerikës, kryesisht biznesmenëve shqiptarë atje. Por, duke menduar se çështja e Kosovës tashmë ka përfunduar, meqë Kosova u çlirua dhe u bë shtet dhe duke menduar (me të drejtë) se pjesa tjetër e punës dhe detyrave duhet të bëhet nga qytetarët e institucionet e Kosovës, lobi shqiptar në Amerikë pothuajse ka vdekur. Vdekjes së lobit shqiptar në Amerikë i kanë kontribuar edhe partitë që mbajnë pushtetin në Kosovën e pasluftës, sepse kanë pasur interes ta zhvatin Kosovën pa u frikësuar se do t’u ngrihet veshi nga instancat e larta amerikane.

Të gjithë ata që dinë sadopak se si funksionon politika e diplomacia amerikane, e dinë që, përveç makro-interesave shtetërore amerikane, me të cilat merren instancat më të larta të Amerikës pa u ndikuar nga askush e asgjë, për çdo përkrahje tjetër të instancave të larta amerikane (jo domosdo më të lartat) duhet lobim, lobim që sigurisht ka kosto të madhe financiare, e cila, në rastin tonë, duhet të përballohet nga bashkatdhetarët tanë në Amerikë. Lobimi është edhe legal edhe shumë i përhapur në Amerikë. Lobimi bën mrekullira në Amerikë!

Ne në Kosovë tashmë ia kemi dëshmuar vetes se s’mund ta bëjmë Kosovën pa ndihmën e të tjerëve, fatkeqësisht, madje mund ta zhbëjmë fare. Në anën tjetër, BE na e ka dëshmuar që nuk është e aftë (ose nuk dëshiron) të na ndihmojë ta bëjmë Kosovën, fatkeqësisht, për më tepër po na kërkon ta zhbëjmë Kosovën, përmes dialogut të detyruar me Serbinë (koncesioneve), përmes kushtëzimit të vizave me demarkacion të padrejtë, etj.. Prandaj Kosova ka nevojë urgjente për vëmendje dhe përkrahje të Amerikës, përkrahje drejtpërdrejt nga Uashingtoni. Dhe këtë vëmendje e këtë përkrahje amerikane mund të na sigurojë vetëm lobi shqiptar në Amerikë.

Po të kishim lob të fuqishëm shqiptar në Amerikë, problemi i demarkacionit me Malin e Zi nuk do të ekzistonte fare, sepse kufiri do të vendosej atje ku ka qenë gjithmonë, e nuk do të lejohej që pushtetarët tanë të falin tokë të Kosovës në emër të Amerikës (duke e keqpërdorur një deklaratë të Departamentit të Shtetit Amerikan që ka qenë veç një reflektim i raportit të Qeverisë së Kosovës, e jo studim i Departamentit të Shtetit).

Po të kishim lob të fuqishëm shqiptar në Amerikë, sot Kosova do kishte sovranitet të plotë dhe Ushtri të Kosovës (pa i dhënë koncesione Serbisë). Kjo ushtri së bashku me Policinë e Kosovës dhe me të gjitha institucionet tjera shtetërore e publike të Kosovës do të ishin në gjithë territorin e Kosovës, edhe në veri. Pra, edhe në veriun e Kosovës të gjithë qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin të lirë dhe të gjitha institucionet e Kosovës do të funksiononin lirisht.

Po të kishim lob të fuqishëm shqiptar në Amerikë, sot Kosova nuk do të ishte peng i ‘super-etnisë’ serbe që përbën rreth 3% të popullatës së Kosovës, e megjithëkëtë kriminalisht e kontrollon mbi 20% të territorit, nuk na lejon ndryshime kushtetuese e ligjore, mban vende e pozita të garantuara në Kuvend e në Qeveri, kërkon që të ketë shtet-mbi-shtet brenda shtetit të Kosovës (Zajednicën).

Po të kishim lob të fuqishëm shqiptar në Amerikë, sot Kosova nuk do të ishte në këtë gjendje të mjerueshme pothuajse në të gjitha sferat e jetës, për shkak të pushtetarëve tanë disa-mandatësh të korruptuar e zhvatës të pasurisë shtetërore e publike të Kosovës. Këtu nuk duhet harruar që këta pushtetarë nuk kanë keqpërdorur vetëm paratë e pasurinë tonë, por kanë fundosur edhe ata sektorë, në të cilët vet Amerika ka investuar miliona dollarë, taksa të qytetarëve amerikanë.

Po të kishim lob të fuqishëm shqiptar në Amerikë, eprorët nga Uashingtoni të ambasadorëve amerikanë në Kosovë do të siguroheshin që secili ambasador amerikan në Kosovë do ta shfrytëzonte ndikimin e vet të jashtëzakonshëm tek qytetarët e Kosovës në funksion të ndëshkimit të politikanëve të korruptuar, e jo ambasadorët të lejojnë politikanët vendorë që në emër të Amerikës dhe duke keqpërdorë ‘përkrahjen’ amerikane të bëjnë çdo të zezë mbi këtë tonë në Kosovë.

Prandaj, Kosova më shumë se për gjithçka tjetër ka nevojë që lobi shqiptar në Amerikë të ringjallet, në mënyrë që shumë interesa të rëndësishme të Kosovës të mbrohen e shumë të këqija të mëdha të Kosovës të shmangen, nga Amerika. Prandaj, Kosova më shumë se për çfarëdo heroi tjetër në Kosovë, ka nevojë për heronj në Amerikë që e ringjallin dhe e fuqizojnë lobin shqiptar në Amerikë.

E fundit që duhet të dimë ne shqiptarët për Amerikën: Amerika e sjell botën me para, por paraja e sjell edhe Amerikën!

COMMENTS