Zhvillimet në Mitrovicë, përplasje mes pozitës dhe opozitës në Kuvend

Zhvillimet në Mitrovicë, përplasje mes pozitës dhe opozitës në Kuvend

Pse do ta vizitojnë Kosovën me 20 Gusht dy astronomë ndërkombëtar?
Hoxhaj në Bruksel: Vendime të rëndësishme ditëve të ardhshme në Kuvend

Zhvillimet e fundit në Mitrovicë kanë nxitur debate e polemika të shumta në seancën e Kuvendit të Kosovës. Gjendja në Mitrovicë u trajtua si debat gjatë një interpelance të kryeministrit Isa Mustafa, të thirrur nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Parashtruesi i kërkesës, Rexhep Selimi tha se situata në Mitrovicë është mjaft serioze. Sipas tij, në veri gjendja aktuale është e rënduar, në veçanti kur flitet për sigurinë. Përveç veprimeve provokuese të Serbisë në këtë pjesët ë Kosovës, ka vijuar Selimi, edhe dialogu dhe marrëveshjet me Beogradin, sipas tij, po e bëjnë situatën edhe më të paqëndrueshme.

Nisur nga disa zhvillime dramatike në veri të Kosovës, siç ishte nisja e trenit nga Beogradi për në Mitrovicë dhe ndërtimi i murit në veri, e më pas rrënimi i tij, sipas deputetit Rexhep Selimi, e gjithë kjo mund të përfundojnë me kompromisin ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

‘U rrënua një mur, por filloi një tjetër pranë tij. E siç po shihet edhe muri që u rrënua edhe ai që po ndërtohet, kanë të njëjtin qëllim – të jenë barrikadë dhe pengesë fizike për qarkullim kundrejt anës jugore të lumit Ibër’, u shpreh Selimi.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të deputetit Selimi, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se veriu i Kosovës është pjesë e vendit dhe se qytetarët e komunave të atjeshme janë qytetarë si të gjithë banorët e tjerë të Kosovës.

Problemet në pjesën veriore, tha Mustafa, duhet të zgjidhen mbi bazën ligjore e kushtetuese, duke u siguruar të drejta dhe liri të barabarta të gjithë qytetarëve të atjeshëm.

Pavarësisht provokimeve të Serbisë, Mustafa tha se institucionet e Kosovës ia dolën që të zgjidhin situatat e krijuara në mënyrë të qetë dhe ligjore.

Mustafa tha se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ndërlidhet me shuarjen e plotë të strukturave paralele që ka ngritur në Kosovë dhe me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur e sovran. Andaj, Mustafa tha se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë dhe se është një procesi i pashmangshëm.

‘Dialogu me Serbinë, me mbështetje të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zhvillohet në interes të Republikës së Kosovës, sepse Kosova po ballafaqohet me probleme si pasojë që nga përfundimi i luftës të cilat nuk kanë alternativë tjetër të zgjidhjes, përveç dialogut’, tha Mustafa.

Ndërkohë, edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti u ka dhënë mbështetje hapave që ka ndërmarrë Qeveria në veri dhe në Mitrovicë. Kurse, ai ka rikujtuar se dialogu me Beogradin e ka mbështetjen e plotë të shumicës në Kuvend dhe ka ftuar edhe opozitën që të reflektojë gjithashtu.

‘Nëse kthehemi në retrospektivë e shohim se më datën 21 prill, 2013, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit i ishte dhënë mbështetje e fuqishme dialogut, me 89 vota për’, ka thënë Pajaziti.

Për dallim nga qëndrimet e partive në pushtet, deputetët nga tabori opozitar kryesisht kanë kritikuar Qeverinë për gjendjen në Mitrovicë dhe komunat veriore, duke e fajësuar edhe procesin e dialogut me Serbinë, për siç u tha, fuqizimin e rolit të Beogradit në veri dhe komunat me shumicë serbe.

‘rel’

COMMENTS