Zaev refuzon ftesën e Ivanovit për takim, protestuesit në tenda përpara Kuvendit

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, e ka refuzuar ftesën për takim të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, për të diskutuar zgjidhjen paqësore të krizës së re në vend, të shkaktuar pas hyrjes në Kuvend të protestuesve maqedonas që kanë sulmuar deputetët dhe gazetarët.

Të paktën 100 persona u lënduan, në mesin e tyre edhe lideri social demokrat Zaev dhe një numër deputetësh të partisë së tij dhe partive të tjera shqiptare, gjatë dhunës së përdorur nga protestuesit.

Në mesnatën mes së enjtes dhe të premtes, njësitet speciale të policisë së Maqedonisë kanë arritur të largojnë nga godina e Parlamentit, protestuesit maqedonas të cilët u futën me dhunë brenda, me ç`rast kanë sulmuar fizikisht deputetët e shumicës së re parlamentare.

Qindra qytetarë maqedonas nën organizim të Iniciativës ‘për Maqedoni të përbashkët’, të enjten pak pas orës 18:00 u futën me dhunë në Parlamentin e Maqedonisë pasi paraprakisht shumica e re parlamentare e përbërë nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lëvizja për Reforma, në një situatë të tensionuar zgjodhën Talat Xhaferin për kryetar të ri të Parlamentit të Maqedonisë.

COMMENTS