Ylberina Abdyli fituese e ‘Fest Flaka 2017’

Ndërron jetë aktorja e Hollywood-it Zsa Zsa Gabor
Muzeu i Kosovës anëtarësohet në Këshillin Ndërkombëtar të Muzeve

Këngëtarja Ylberina Avdyli është shpallur fituese e Festivalit të Muzikës ‘Fest Flaka’, i cili është mbajtur në kuadër të Manifestimit ‘Flaka e Janarit’, që ka qenë aktivitet përmbyllës i këtij edicioni.

Çmimin Ylberinës ia ka dorëzuar kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, Vendin e dytë e ka zënë këngëtarja, Besa Krasniqi, çmim të cilin ia ndau profesori Isa Jakupi, kurse vendin e tretë këngëtarja Albulena Misini, çmimin asaj i ndau Dilaver Kryeziu.

Fillimisht Festivalin e ka shpallur të hapur kreu i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka falënderuar të gjithë ata që janë angazhuar gjatë këtij muaji në mbarëvajtjen e festivalit, të gjithë ata që kanë punuar që ‘Flaka e Janarit’ të shënohet dinjitetshëm dhe ku parakaluar mijëra artistë, artdashës e qytetarë.

‘Janari në Gjilan dhe tek shqiptarët shënon muajin e respektit, ashtu siç e kishin të veçantë dëshmorët, heronjtë dhe sakrifica e tyre për ideale për liri dhe pavarësi të shqiptarëve, ashtu edhe ne 26 vite më herët kemi vendosur ta shënojmë me këtë manifestim për respektin për dëshmorët e kombit. Janari sot shënon rënien heroike të Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës e Hakif Zejnullahut, të dielën e fundit shënoi rënien dhe vrasjen e Reshat Ymerit, para disa ditëve të Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, më datën 11 të Rexhep malës e Nuhi Berishës, më 21 janar ndarjen nga jeta të presidentit historik Ibrahim Rugova, të vrasjes tinëzare të Tahir Zemajt dhe të afërmeve të tij dhe shumë të tjerëve që shkruan me gjak historinë e shqiptarëve’, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Ai ka thënë se ishin këta heronj që na mësuan se si vdiset për të mos jetuar të robëruar dhe se si duhet luftuar e kryengritur për interesa kombëtare e të atdheut.

Haziri, ka përmendur edhe rolin e Idriz Seferit, duke potencuar se në Gjilan ky vit i kushtohet Idriz Seferit dhe se në mënyrën më dinjitoze do të zbardhet historia e jonë.

‘Idriz Seferi ka rastisur të jetë i Karadakut të Gjilanit, por ai ishte çlirues i Shkupit, rastisi të jetë i Gjilanit, por ai çliroi Gjilanin dhe Anamoravën, ka rastisur të jetë i lindur në këtë pjesë të shqiptarëve, por ka luftuar për pavarësinë e shqiptarëve dhe sot vazhdohet që idealet e Idriz Seferit të çohen përpara’, tha Haziri, që nuk ka lënë pa falënderuar dy bashkëthemelues të ‘Flakës së Janarit’, Sabit Rrustemin dhe Hasan Bunjakun, që në atë kohë udhëhoqën institucione dhe organizata, që bashkë me mua udhëhoqën manifestimin për të cilin tha se janë krenarë dhe për qindra mijëra të rinj e të reja, burra e gra të Gjilanit, që i kanë dhënë formë manifestimit.

Haziri, tha se muzika popullore është shtylla e manifestimit dhe ka falënderuar orkestrën, profesorin Isa Jakupi, pasardhësit e tij, nxënësit e tij.

Më pas kanë performuar dhjetëra këngëtarë, të cilët janë përcjell nga orkestra, sikurse që kanë performuar edhe këngëtarë mysafirë pasi që ka përfunduar garimi.

Këngët më të mira janë përzgjedhur nga juria në përbërje: Florentina Rushiti Bajrami, dirigjente, Xhentian Jetishi, profesor i muzikës dhe Ylber Asllani, redaktor i muzikës në RTK.

Ky ishte aktiviteti i fundit i ‘Flakës së Janarit 2017’.

COMMENTS