VV kërkon rritje të buxhetit për librin

VV kërkon rritje të buxhetit për librin

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar kod të veçantë dhe rritjen e buxhetit për librin.

Deputeti Sami Kurteshi, në një konferencë për media të mbajtur për nder të Ditës Botërore të Librit tha se VV-ja është e shqetësuar edhe me gjendjen e bibliotekave në Kosovë, derisa sa i përket ‘mohimit të së drejtës të të rinjve për qasje në libër tha se edhe rezultatet e mëparshme të testit PISA janë pasqyrë e gjendjes aktuale’.

Ai u shpreh i shqetësuar edhe me numrin e vogël të literaturës që bibliotekat në Kosovë posedojnë, duke thënë se me më pak se 2 milionë libra, Kosova ka më pak se një libër për kokë banori.

Po ashtu, ai theksoi se bibliotekat në nivel komunal janë në gjendje të rëndë nga infrastruktura e deri tek mos përditësimi i fondit të librave.

Sipas tij, këto biblioteka nuk funksionojnë, nuk janë të lidhura mes vete dhe nuk i plotësojnë as standardet minimale bashkëkohore për funksionimin e tyre.

‘Agjencia e Statistikave të Kosovës deklaron se fondi i gjithëmbarshëm i librave në Kosovë, është 1 milionë e 793 mijë libra. Kjo i bie më pak se një libër për kokë banori në Kosovë dhe këtë relacion besoni se nuk e gjeni askund në botë. Biblioteka kombëtare deklaron t’i ketë në fondin e vet diku 2 milionë tituj, nuk është fjala për libra, por për tituj ku futen dokumente të ndryshme, revista shkencore, gazetat, pra 2 milionë tituj, por që nuk janë libra. Pra mund ta merrni me mend si është gjendja në nivel komunal, ku në krejt Kosovën kemi nja 108 biblioteka ku prej tyre 13 janë në Prishtinë, 11 janë në Gjilan dhe tjerat janë të shpërndara nëpër komunat tjera, por mund ta merrni me mend cili është fondi i librave në biblioteka dhe cili është përditësimi’, tha ai.

Tutje, deputeti i Vetëvendosjes tha se përqindja e analfabetëve absolutë në Kosovë është në rritje dhe për këtë ai bëri apel që Kosova të ketë kodin e veçantë për librin dhe të rrisë fondet, pasi që deri më tani sipas tij shpenzimet për librin janë zero.

‘Sa i përket financimit të librit në përgjithësi në Kosovë, unë në një farë mënyre po bëj edhe një pyetje a mund të bëjë dikush bilancin e shpenzimit për asfalt dhe për librin, ndoshta ju e dini sa jepet për asfalt në Kosovë, por për librin po iu them se jepen zero euro, kjo është jashtëzakonisht tragjike. Shqetësim i VV-së është mungesa e fondeve për librin, buxheti i Kosovës nuk ka kod fare për librin, ka ndonjë subvencion aty këtu, por libri dhe dija nuk mbahen me subvencion ‘ad-hoc’ që iu jepen individëve apo autorëve të veçantë, e aty sidomos kur mund të gjejnë ndonjë lidhje diku në ndonjë komunë apo në Ministri’, u shpreh Kurteshi, transmeton KP.

Sipas tij, politikat favorizuese për librin janë platformë e zhvillimit kombëtar.

Ndërsa përmes kësaj konference Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që të rritet buxheti në Kosovë për fondin e librit dhe botimet në Kosovë, të hiqet TVSH-ja nga të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me librin si dhe të krijohet një fond i veçantë Kosovë – Shqipëri për përkthime të librit.

COMMENTS