Vota ‘magjike’ për Demarkacionin

Vota ‘magjike’ për Demarkacionin

Një ditë para se Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi të jetë në Kuvend, ende nuk dihet saktë nëse janë siguruar votat apo jo, ku për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit, nevojiten 80 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.

Koalicioni qeverisës dhe LDK-ja thuhet se i kanë siguruar 79 vota, por janë edhe në kërkim të një vote.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ditë më parë u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës të jenë të martën në seancë dhe të votojnë pro Marrëveshjes së Demarkacionit, pasi, sipas tij, tashmë është deklarata e dy presidentëve, atij të Malit të Zi dhe të Kosovës, si dhe raporti i Komisionit të Shpejtim Bulliqit.

Ai tha se me realitetin e ri të krijuar nuk ka arsye të mos votohet Demarkacioni.

‘Edhe për mua nuk ka qenë një proces i lehtë dhe vazhdon të mos jetë një proces i lehtë, por nuk po mund ta shoh popullin tim të izoluar, duke pasur parasysh se megjithatë kemi arritur ta ruajmë tërësinë territoriale dhe mundësinë e korrigjimit të marrëveshjes në drejtimin e Çakorrit dhe Kullës’, tha Haradinaj.

E shefi i kabinetit të kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi, ditë më parë ka shfaqur besimin se i kanë siguruar numrat për të votuar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Ai ka thënë se synojnë të kenë edhe më shumë se 80 numra në Parlament kur votohet për marrëveshjen e kufirit me malazezët.

Ndryshe, kundër kësaj marrëveshjeje janë deklaruar Vetëvendosja dhe Lista serbe.

Çështja e Demarkacionit me Malin e Zi ka tri vite që nuk e merr bekimin e Kuvendit, ndërkaq ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është një ndër kriteret e liberalizimit të vizave.

COMMENTS