Veseli thotë se vetëm konsensusi ndihmon Kosovën në kapërcimin e sfidave të mëdha

Veseli thotë se vetëm konsensusi ndihmon Kosovën në kapërcimin e sfidave të mëdha

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në konferencën 'Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformave, Bashkëpunimi rajonal dh

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në konferencën ‘Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformave, Bashkëpunimi rajonal dhe Integrimi Evropian’, organizuar nga Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan, ka thënë se dekada e re është dekada e shpresës dhe e nevojës për ndryshim të shpejtë të vendit.

Duke bërë bilanc të dhjetë viteve të shtetësisë së Kosovës, Veseli ka thënë se në këtë periudhë Kosova ka arritur rezultate që të tjerëve u janë dashur shumë dekada për t’i arritur.

‘Sot Kosova, nëse krahasohet me vendet e regjionit, në shumë segmente zhvillimore është ose baras ose para regjionit, por nëse bëjmë krahasimin me ato vende ku synojmë të arrijmë, atëherë e shohim se dekada e re e pavarësisë duhet të jetë dekadë e punëve të mëdha të përbashkëta, e përkushtimit të palodhur të të gjithëve, për një transformim të shpejtë ekonomik, për fuqizim të shtetit që reflekton zhvillimin ekonomik’, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Veseli ka thënë se kriza e Bashkimit Evropian, që ka lëkundur sigurinë e politikës së zgjerimit, diplomacia agresive e Rusisë si dhe zhvillimet e tjera gjeopolitike janë pengues ose jondihmues për kompletimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Sipas tij, të gjitha këto pengesa po mundohet t’i shfrytëzojë Serbia. Ai ka thënë se ky realitet duhet ta vetëdijesojë skenën politike ‘për faktin se bota po ndryshon vazhdimisht dhe ne duhet të mobilizojmë energjitë tona për ta shtyrë përpara projektin tonë të shtetndërtimit, fuqizimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe hapjen e perspektivës për zhvillim ekonomik të vendit’.

Për të realizuar këtë, Veseli thotë se duhet kthesë reale në politikë.

‘Duhet ta pranojmë se po humbim kohë dhe vendi po mbetet prapa për shkak të polarizimit dhe konfliktualitetit politik për pushtet. Për tre vite kemi humbur energji duke fyer dhe etiketuar njëri-tjetrin, për çështje të cilat duhet të na bashkonin! Kemi lënë namin dhe në fund, si papritur, kemi përfunduar diçka që hiç më ndryshe mund ta kryenim me pak qetësi dhe racionalitet edhe tre apo dy vite më parë. Ndërsa përveç konfliktualitetit, përfituam edhe izolimin e qytetarëve tanë, në një Bashkim Evropian edhe ashtu shumë skeptik. Qytetarët e Kosovës as nuk e duan e as nuk e meritojnë një gjë të tillë. Qytetarët e Kosovës besojnë në shtetin e tyre dhe ne si klasë politike kemi për obligim ta justifikojmë këtë besim, jo me fjalë, por me punë konkrete e vendime të përbashkëta në të mirë të vendit’, është shprehur Veseli.

Sa i përket platformës së tij me të cilën ka kërkuar konsensus të përgjithshëm për dialogun me Serbinë, themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, themelimin e Ushtrisë, agjendën e integrimeve evropiane dhe reformën zgjedhore, Veseli thotë se e ka bërë sepse e ka parë të nevojshme të ‘kapërcehet situata e vendnumërimit politik e institucional dhe ecjen përpara në përmbylljen e shtetndërtimit dhe avancimin në rrugën e integrimeve evro-atlantike’.

Për të gjitha këto, ka thënë se vetëm konsensusi i përbashkët mund t’i zgjedhë.

COMMENTS