Veseli: Për dëbimin e Turqve secili do të marrë përgjegjësi

Veseli: Për dëbimin e Turqve secili do të marrë përgjegjësi

Kryetari i Kuvendit dhe PDK-së, Kadri Veseli, ka siguruar se ngjarjet si ajo me deportimin e gjashtë shtetasve turq nuk do të përsëriten asnjëherë. Derisa, kësaj çështje do t’i shkojnë deri në fund dhe secili do të marrë përgjegjësinë e vet për këtë gabim të patolerueshëm.

Madje ai thotë se po të ishte ministri i Punëve të Brendshme nga radhët e PDK-së do ta shkarkonte për dy minuta.

Në një intervistë për KosovaPress, kreu i legjislativit thotë të jetë ndier i turpëruar me mënyrën e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq për në Turqi. Ai u ka kërkuar falje familjarëve të të arrestuarve për këtë defekt të institucioneve, derisa ka siguruar se një veprim i tillë nuk do të përsëritet më asnjëherë.

Madje, sipas Veselit një veprim i tillë nuk përkon as me traditën e popullit shqiptar, por as me procedurat ligjore të aplikueshme në Kosovë.

Veseli thekson se nuk do duhej të ndodhte një akt i tillë, pa dijeninë e krerëve të institucioneve.

Kryetari i Kuvendit, u shpreh se ai nuk i ikë përgjegjësisë dhe do ta marrë përgjegjësinë që i takon sepse kësaj çështje do t’i shkojnë deri në fund. Ai e quan të patolerueshme që ai të mos ketë qenë në dijeni për një veprim të tillë të AKI-së dhe Policisë.

Veseli: Për këtë gabim do të bartim konsekuenca të gjithë

‘Nuk e kam ndier vetëm krenar, por e kam ndier të turpëruar pse ka ndodhur ajo, edhe unë e pranoj, nuk e kam këtë sedër aq të rëndë për të mos e pranuar. Ka qenë gabimi edhe imi, për atë arsye e kam nisur nga vetja, si kam mundur unë si bartës i përgjegjësisë në këtë koalicion, si kam mundur të vijë deri te kjo situatë e tillë e cila nuk do duhej t’i vinte popullit të Kosovës që ka vuajtur shumë, ka qenë i pambrojtur, ka qenë nëpër dyer të huaja siç themi ne në gjuhën popullore. Por këto janë gabime që do të bartim konsekuenca të gjithë bashkërisht. Unë e kam pranuar pjesën e fajësisë në të cilën nuk është dashur të jem unë i painformuar, e pranoj si fakt dhe e barti këtë përgjegjësi. Por në të njëjtën kohë në momentin që e kam marrë vesh kam bërë të gjitha hapat që kam mundur t’i bëjë si qenie njerëzore në rëed të parë pastaj edhe institucionale’, theksoi ai.

Veseli ka vlerësuar se nuk do të ndalen vetëm me shkarkimin e dy njerëzve, këtë rast ministrin e Punëve të Brendshme dhe drejtorin e AKI-së. Madje, thotë se po të ishte nga partia e tij, ministrin e MPB-së do ta shkarkonte për dy minuta.

Veseli: Do ta shkarkoja për dy minuta po të ishte nga partia ime

‘Më vjen keq që nuk ka qenë zyrtar i partisë sime ministri përkatës, se e kisha shkarkuar brenda dy minutave në momentin që e kam marrë vesh, madje nuk do të guxonte të ndodhte fare ajo. Do të shkarkohet çdo kush që ka përgjegjësi, për arsye se ne nuk jemi këtu të përfaqësojmë partitë tonë politike, por jemi të përfaqësojmë vlerat e popullit tonë që janë vlera civilizuese perëndimore’, u shpreh Veseli.

Kreu i Kuvendit, ka folur edhe për arrestimin e Marko Gjuriqit nga Policia e Kosovës të hënën që shkoi, i cili hyri pa leje në Kosovë. Veseli e ka quajtur veprim ligjore dhe të cilin e mbështetë fuqishëm.

Veseli: S’do të hyjë askush në Kosovë pa leje

‘Të gjithë duhet ta dinë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, se ka zot shtëpie dhe ai është sovrani, populli i Kosovës dhe institucionet e kanë për obligim të respektojnë vullnetin e tyre, askush nuk ka të drejt të futet në Republikën tonë në mënyrën se si do të provokoj qytetarët tanë, të rrezikoj vet vlerat tona sublime duke bërë edhe deklarata të cilat nuk përkojnë me përpjekjet tona për paqe, stabilitet dhe integrime euroatlantike. Ka qenë një sjellje e papërgjegjshme e institucioneve të Serbisë, ardhja në mënyrë klandestine e një zyrtari të lartë të shtetit serb në mënyrë për të demonstruar një sovranitet të paqenë, e cili nuk ka ekzistuar kurrë moralisht, por tani për fat të mirë edhe në kuptimin fizik, më nuk është këtu, ka qenë e papjekur dhe ka marrë përgjigjen e merituar’, tha Veseli.

Kreu i legjislativit e ka vlerësuar lart operacionin policor duke thënë se është Policia më profesionale, duke kryer operacionin pa lënduar askënd, pavarësisht rrezikut që ka qenë për shkëmbim zjarri dhe refuzimit për t’u futur brenda.

Veseli tha se qëndron qind për qind mbrapa vendimeve dhe veprimeve të Policisë, derisa sipas tij, të gjithë ata që kanë rezistuar do të përgjigjen secili qoftë ministër, qoftë kushdo tjetër.

Ndërsa, e ka quajtur të parealizueshme idenë e serbëve që ta bosnjëzojnë Kosovën, duke tentuar që pa pëlqimin e institucioneve të Kosovës të themelojnë Asociacionin.

Veseli: Kurrë s’do të lejojmë ndarjen e Kosovës

‘Jo asnjëherë, as nuk do ta lejojmë një gjë të tillë, të jem shumë i qartë në këtë drejtim, për arsye se për konsum politik pak gjëra me shumë është abuzuar me çështjen e Asociacionit dhe shënimit të kufirit me Malin e Zi. Ne jemi të vendosur, flas në cilësinë e kryetarit të PDK-së, që ky sovranitet i arritur me sakrifica të mbrohet në tërësinë e vet dhe të ecë përpara në integrimet euroatlantike. Kjo është ajo që do ta bëjmë. Por, le të errësohen, le të zhgënjehen, por në të njëjtën kohë nëse dëshirojnë edhe le të çmenden ata të cilët mendojnë se do të munden të ndërtojnë paralelizma apo do të munden t’i imponojnë Kosovës vendime që janë jashtë institucioneve të Kosovës. Kjo është ajo qoftë për Listën Serbe, qoftë për opozitën e cila një pjesë e opozitës përkatësisht VV-ja e cila tenton të abuzoj në këso tema. Kemi arritur me sakrifica deri këtu, do ta mbrojmë’, tha ai.

Megjithatë, Veseli shton se Asociacioni do të formohet, por se vetëm në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Derisa, ka akuzuar Vetëvendosjen për veprime të cilat po i ndihmojnë kauzës së Serbisë për bosnjëzimin e Kosovës apo ndarjes së saj.

Veseli: VV po i ndihmon Serbisë në idenë e saj për bosnjëzimin e Kosovës

‘Nuk do të lejojmë veprime paralele, janë ëndrra ato që mendon dikush që do të ndërtoj një Asociacion dhe Kosovën do ta vejë në bosnjëzim. Kjo është ajo që dua të dërgoj mesazh, ky është qëndrimi në të cilën dallon PDK me Vetëvendosjen. Ne mendojmë saktë se LVV është duke i ndihmuar Serbisë përmes një qëndrimi që e dobëson sovranitetin e Kosovës, siç është përfundimi i shënimit të kufirit, tani do të shkojmë edhe me Serbinë, në të njëjtën kohë kryerjen e detyrave që ka Kosova si shtet i pavarur dhe sovran….Për arsye se bllokadat që po krijohen në emër të krimit ë Asociacionit vetëm do t’i japin pretekst Serbisë që në bisedat finale të kërkoj bosnjëzimin e Kosovës apo ndarjen, asnjëra as tjetra nuk do të ndodh, ky do të jetë dallimi ynë’, u shpreh Veseli.

Kryetari i Kuvendit në intervistë për Kosovapress ka folur edhe për liberalizimin e vizave, punën e Kuvendit, reformën e PDK-së, e të cilat do të botohen nesër.

COMMENTS