Vazhdojnë pritjet e gjata në Merdarë

Zyrtarë të Policisë së Kosovës thanë se pritjet në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Merdarë, sado që janë shkurtuar, vazhdojnë të zgjasin deri në një orë e gjysmë.

Në bazë të shënimeve të Policisë së Kosovës, radhët e makinave në kufirin në Merdarë arrijnë deri në 400 metra.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë se gjendja lidhur me fluksin e automjeteve dhe udhëtarëve nëpër të gjitha vendkalimet e tjera kufitare raportohet të jetë normale.

Një gjendje e rënduar në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe në Merdarë, por edhe tek Dheu i Bardhë, në magjistralen Gjilan – Bujanoc, u shënua që nga fundi i vitit të kaluar, kur qytetarë të Kosovës që jetojnë në vendet e Evropës Perëndimore, pritën me orë të tëra për të hyrë në Kosovë.

Që prej fundit të festave, në ditët e para të vitit të ri, pritjet u rikthyen dhe vetëm në fundjavën e kaluar kolona të gjata të makinave pritën me orë për të kaluar nëpër territorin e Serbisë.

COMMENTS