USK: 1 tetori i vitit 1997, një ngjarje me rendësi në historinë e Kosovës

Unioni i Studentëve të Kosovës, përmes një letre ka kujtuar rolin që studentët në përgjithësi dhe protesta e 1 Tetorit në veçanti ka luajtur në historinë e re të Kosovës.

Kjo është letra e plotë e Unionit të Studentëve të Kosovës:

1 tetori i vitit 1997, një ngjarje me rendësi në historinë e Kosovës

Universiteti i Prishtinës është institucioni i parë i arsimit të lartë në Kosove, i cili është themeluar më 15 shkurt të vitit 1970, ndërsa 15 shkurti u shpall dita e Universitetit të Prishtinës. Megjithëse një universitet i ri në kontekst të universiteteve me histori qindvjeçare, përvoja e hidhur historike nuk i ka munguar aspak. Studentët e Universitetit të Prishtinës përjetuan më shumë se askush tjetër dhunën kundër arsimit, lirisë, shprehjes së lirë, dhunës mbi institucionet akademike etj.

Prandaj mund të thuhet se roli i studentëve të Universitetit të Prishtinës për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb padyshim ishte i madh. Të kujtojmë protestat e vitit 1968 ku nder parullat që u përdorën nga studentët e Shkollës së Lartë Pedagogjike ishte edhe parulla Duam Universitet, Kosova Republikë, Rroftë populli Shqiptar etj.

Më 1 tetor të vitit 1997 shpërthyen demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Ishte kjo një revoltë e akumuluar ndër breza e shekuj më radhe. Studentët e atij brezi u rrahën, u maltretuan nga policia dhe armata jugosllave. Ata kishin vetëm forcën e shpirtit shqiptar, dëshirën për liri dhe pavarësi të vendit të tyre. Më rezistencën e tyre e gjithë bota u njoftua për bëmat e pushtetit shovinist serb mbi shqiptarët e Kosovës.

Studentët e Universitetit të Prishtinës shpërfaqen gjendjen kritike të popullit të tyre me ç’rast zbuluan shtypjen që po ju bëhej nga shteti shovinist serb.

1 tetori i vitit 1997, një moment kthese në historinë e Kosovës, kur studentët, profesorët dhe qytetarët i mbushen rrugët e Prishtinës. Këto demonstrata të studentëve patën e efektin e tyre të madh sepse e gjithë bota ktheu vëmendjen te Kosova, të fati i shqiptarëve dhe shembulli se si okupatori serb vepronte mbi rininë shqiptare, se si po mundohej të shtypte çdo lëvizje, e cila kërkonte drejtësi, liri e pavarësi për popullin shqiptar. Po këta studentë, ishin ata që ju bashkuan edhe radhëve të UÇK-së, Komandantit legjendar Adem Jasharit për çlirimin e trojeve shqiptare nga shteti shovinist serb.

Sot pas kaq vitesh pas kërkesës që kemi bërë për vendosjen e Memorialit për Studentët e vrarë gjatë luftës në Kosovë. Këshilli Drejtues i UP-së, ka marrë vendim për mbështetjen e iniciativës tonë!

Unioni i studentëve të Kosovës uron të gjithë studentët, profesorët për fillimin e vitit të ri akademik!

COMMENTS