Universiteti i Prishtinës gati për fillimin e vitit të ri akademik

Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, është gati për të filluar vitin e ri akademik 2016/17, duke i përmbyllur edhe përgatitjet përfundimtare siç është konkursi për regjistrim të studentëve në nivelin master të studimeve në këtë universitet.

Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare i cili njëherit është edhe zëdhënës i UP-së, Afrim Hoti, ka thënë për KosovaPress se regjistrimet në nivelin bachelor kanë përfunduar duke e përfshirë edhe afatin plotësues të regjistrimit, kurse, procesi po vazhdon me nivelin master dhe atë të doktoratës, të cilat sipas tij, në javën e parë të tetorit do të përmbyllen.

‘Tash jemi në përfundim e sipër për faktin që afati i dytë i studentëve të nivelit bachelor është në përfundim e sipër, në vendet ku kemi pasur vende të lira ose që kanë mbetur vende të lira tashmë po kompletohet numri, sot e nesër normalisht do të merremi me ankesat eventuale të kandidatëve që vijnë nga niveli bachelor, ata të cilët eventualisht nuk kanë treguar sukses dhe ne presim që gjatë kësaj jave ta përmbyllim përfundimisht periudhën e regjistrimit të nivelit bachelor. Me studimet master në të njëjtën kohë e kemi hapur ashtu siç e kemi pas të paraparë konkursin, sot është hap konkursi dhe do të mbetet i hapur deri më datën 30 shtator, më datën 3 dhe 4 do të organizojmë provimet pranuese dhe brenda javës së parë të tetorit ne do ta përmbyllim edhe numrin e kandidatëve në studimet master. Në të njëjtën kohë po vazhdohet edhe me procedura tjera për përzgjedhjen e kandidatëve në studimet e doktoratës dhe ne shpresojmë që në javën e parë të muajit tetor të fillojmë me ligjërata dhe me vitin akademik në të tria nivelet’, është shprehur Hoti.

I pyetur rreth interesimit për aplikim në nivelin master të studimeve në UP, Hoti ka thënë se ka informata për interesim mjaft të lartë të kandidatëve.

‘Ka interesim, informacionet flasin për interesim relativisht të madh të studentëve por duke e pas parasysh faktin që ende jemi në vijim e sipër të afatit të shtatorit besoj që studentët kanë ose po ballafaqohen me ditët e fundit respektivisht provime e fundit të nivelit bchelor dhe për të mbrojtur temat e diplomës së tyre, ne e kemi paraparë që brenda këtij dhjetë ditshi nga 21 deri më 30 të përfundohet afati i provimeve të vitit të tretë dhe në të njëjtën kohë të caktohet një datë e mbrojtjes së temave në mënyrë që pasi të dihet numri përfundimtar i atyre që do të diplomojnë në këtë afat sigurisht që do të kemi intensitet të shtuar të kandidatëve për studimet master për çka ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet, t’i marrim aplikacionet e tyre dhe normalisht ti marrim kandidatë më të suksesshëm’, ka deklaruar Hoti.

Ndërkohë, prorektori Afrim Hoti, ka thënë se tashmë është përmbyllur i gjithë procesi i regjistrimit të studentëve në nivelin bachelor edhe pas afatit shtesë për regjistrim të studentëve të rinj.

Megjithatë, edhe pse është shprehur se ka informata për plotësimin e të gjitha vendeve të lira në UP në nivelin bachelor, ka deklaruar se ende nuk është nxjerrë raporti final në nivel të UP-së, gjë që nuk mund të flas me shifra konkrete.

UP në këtë vit akademik kishte shpallur konkurs për 8 mijë e 500 studentë të rinj në vitin e parë të studimeve themelore.

COMMENTS