Unë jam shqiptar Kosove

Turp e faqja e zezë
Shitësit e interesit kombëtar shqiptar, pas njëqind vjetësh po shkojnë drejt falimentit të tyre

Nga Marin Mema marin-mema

Unë jam shqiptar Kosove, sepse stërgjyshërit e mi kanë dhënë shpirtin për këtë vend.

Unë jam shqiptar Kosove, sepse stërgjyshërit e mi nuk shihnin kufij mes Shqipërisë.

Unë jam shqiptar Kosove, sepse e kam njohur çdo element të masakrave të tmerrshme të bëra mbi vëllezërit e motrat e mija kosovarë!

Unë jam shqiptar Kosove, sepse respektoj Haxhi Zekën, Hasan Prishtinën, Isën e madh, Azem e Shotë Galicën, Sulejman Vokshin, Idriz Seferin, Bedri Pejanin, Ahmet Delinë, Shaqir Smakën e shumë të tjerë. Ata janë heronj për mua! Ata kanë një gjak me mua!

Unë jam shqiptar Kosove, sepse Adem Jashari, Zahir Pajaziti e shumë të tjerë, luftuan për të njëjtin flamur, sepse në shpirtin e tyre ishte i njëjti vrull si burrat e qëmoti!

Unë jam shqiptar Kosove, sepse kurrë nuk do të pranoj që historinë të ma bëjë ndonjë burracak Enver apo Enverush, sido u quajt, Albert, Hashim apo diçka tjetër.

Unë jam shqiptar Kosove, sepse gjaku nuk bëhet ujë, sepse gjakun edhe pse unë jam nga Kolonja e kam të njëjtë me çdo shqiptar Kosove! E këtë nuk e ndalon askush!

Nuk prishet e përçudnohet historia, sepse disa tuafër (më qëllim) duan të ngrënë pengesa e bile edhe ‘armë’ moderne duke ndezur armiqësi mes të njëjtit komb! Nuk dua të di nëse në pushtet është Edi apo Lulzimi (sepse për çështjen kombëtare nuk ka të majtë e të djathtë, nuk ka as flamuj politikë), por atë që s’mundet ta ndalojë askush nga këta BURAT më një R është të qenit shqiptar, të menduarit bashkë, të ecurit bashkë, drejt një historie që do apo s’do Enverushi është e përbashkët!

Historia nuk është lodër, nuk është telekomandë ku çdo kush mund të shtypë stacionin që dëshiron, por është identitet, pasion, ndjenjë, është gjak, është e mbetet HISTORI! Ndaj shpesh është më mirë të heshtësh se të rrokullisesh! Hesht Enverushkë është më burrërore se të hollosh zërin e të bësh si burrë! Ti nuk bëhesh kurrë burrë dukë mohuar historinë!

Unë e kuptoj se të jesh pushtetar si këta, nuk të intereson identiteti kombëtar, por kjo s’do të thotë se ne, njerëzit e thjeshtë duhet të hapim rrugë, e të lejojmë këta pseudo-shqiptarë të hapin gojë e të nxjerrin të vjella antikombëtare! Historinë e bëjnë burrat e jo gjysmë-burrat!

Unë jam shqiptar Kosove dhe i tillë do të mbetem! Ndaj Enverushërit dhe gjithë çeta pas tij duhet të kafshojnë gjuhën nëse nuk u pëlqen, duhet ta bëjnë më zor, sepse fatin e shqiptareve të Kosovës nuk e vendos askush tjetër përveç historisë që ka drithëruar çdo shtëpi në atë tokë!

I ndjeni klithmat? I ndjeni vuajtjet? Po masakrat, vrasjet, ndyrësitë, i ndjeni? E pra, ato janë shpirtra, shkuan për të qënë të lirë, e jo për t’u drejtuar nga askush që për interesa personale shpik, mohon, hedh poshtë, shkel identitetin, siç po bëjnë ca nga pushtetarët xhepa plotë e shpirt të boshatisur!

Unë jam shqiptar Kosove, e këtë s’ma ndalon askush! Historia është për burrat e jo për dallaveraxhinjtë!

PS: Kush u mërzit le të kërkojë yjësinë në qiellin blu për hir të pushtetit të disave… Ne të tjerët nuk kemi ndasi, përkundrazi jemi shqiptarë Kosove, Çamërie, Sanxhaku, Presheve, Plavë e Gucie, Podgorice, Shkupi e kështu me radhë!

Jemi shqiptarë!

COMMENTS