Udhërrëfyes i ri për armë të vogla dhe të lehta

Udhërrëfyes i ri për armë të vogla dhe të lehta

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi për prezantimin e Udhërrëfyesit për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për posedimin e paligjshëm, keqpërdorimin dhe trafikimin e armëve të vogla dhe të lehta (AVL) në Ballkanin Perëndimor, brenda vitit 2025. Takimin e hapi koordinatori kombëtar për armë të vogla dhe lehta, njëherësh zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka.

Me këtë rast zëvendësministri Zeka theksoi se mund të konstatohet se Republika e Kosovës gjatë 10 vjetëve të fundit ka arritur progres të çmueshëm në fushën e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta, Që nga viti 2008 është duke u implementuar strategjia dhe plani i veprimit për AVL.

Ai tha se bazuar në deklaratën e përbashkët nga takimi i mbajtur në Podgoricë për angazhimin për luftimin e trafikimit të paligjshëm të armëve dhe municionit në Ballkanin Perëndimor, Republika e Kosovës e ka bërë prioritet implementimin e këtyre obligimeve.

‘Është krijuar një grup i punës për harmonizim të mëtejshëm të bazës ligjore nacionale për armë me BE-në. Kosova është shembulli i parë në rajon që nëpërmbushje të planit të përbashkët të veprimit në mes vendeve të BE dhe Evropës Juglindore 2015-2019, ka themeluar Pikën Kombëtare për Armë (FFP), e cila është vendosur në Policinë e Kosovës dhe janë ndërmarrë një sërë nismash të tjera’, theksoi zëvendësministri Zeka.

Ai vuri në dukje se përveç rezultateve të përmendura janë edhe shumë sfida dhe probleme të natyrave të ndryshme me të cilat ballafaqohemi dhe njëra nga sfidat kryesore në luftën e përbashkët dhe bashkëpunimin ndërkombëtar është edhe mos anëtarësimi i plotë Kosovës në organizatat ndërkombëtare të sigurisë, siç janë INTERPOL, EUROPOL, SELEC etj.

Në këtë takim u prezantua edhe drafti i udhërrëfyesit, i cili duhet të shërbejë si një dokument udhëzues dhe konsensual i përgatitur dhe në pronësi të autoriteteve rajonale, për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për çështjen e mbajtjes, keqpërdorimit dhe trafikimit të paligjshëm të armëve të vogla dhe të lehta (AVL) dhe municioneve të tyre në Ballkanin Perëndimor. Ky dokument dëshmon konsensusin e arritur ndërmjet palëve të interesuara në rajon për sfidat aktuale, objektivat e përgjithshëm që synohen të arrihen dhe kalendarin e veprimeve që duhet të ndërmerren ne të ardhmen.

COMMENTS