U shpallet luftë drogave në shkolla

U shpallet luftë drogave në shkolla

Autoritetet e rendit në Kosovë kanë ndërmarrë një aksion me moton, ‘Stop drogave në shkolla’ në kuadër të përpjekjeve për parandalimin dhe luftimin e dukurisë së shpërndarjes së drogave tek nxënësit. Për gjashtë ditë, ky aksion i zhvilluar këtë muaj, sipas policisë, i ka dhënë rezultatet e veta.

Në Policinë e Kosovës thonë se në aksionin e ndërmarrë janë arrestuar 34 persona dhe është konfiskuar më shumë se një kilogram drogë e llojit, marihuanë.

Ndërkaq, nga aspekti i parandalimit, janë realizuar vizita dhe kontakte me personelin e shkollave, në bashkëpunim me Qendrën e Mjekësisë Familjare, janë mbajtur ligjërata si dhe janë angazhuar zyrtarë policorë për patrullime përreth shkollave.

Zëdhënës i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë se aksioni ka përfshirë patrullimet përreth shkollave dhe hapësirave afër, si parqe e të ngjashme.

‘Bazuar në të dhënat statistikore dhe aktivitetet në terren vërehet se numri më i madh i rasteve është iniciuar në
perimetrin e sigurisë prej 300 metrave rreth shkollave, si në parqe, rrugë e hapësira të tjera. Ka rezultuar se prej 27 rasteve, 3 raste kanë qenë brenda oborreve të shkollave, 3 raste afër oborreve dhe 21 në largësi prej 300 metrash’, tha Hoxha.

Ndërkaq, Safet Blakaj drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike ‘Labirint’, tha për Radion Evropa e Lirë se ka tendencë te të rinjtë prej moshës 16 vjeçare që të konsumojnë në masë më të madhe drogën e tipit marihuanë.

Sipas tij, numri i personave të kësaj moshe që kërkojnë ndihmë në këtë qendër, megjithatë, mbetet i vogël.

‘Vitet e fundit droga e llojit, marihuanë, është e përhapur te nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Mosha e konsumimit, sipas të dhënave tona, ka rënë në 16 vjeç. Shkollat po hezitojnë të raportojnë për këtë problematikë, pasi po mendojnë se si shkollë mund të stigmatizohen’, thotë Blakaj.

‘Mesatarja e nxënësve që kërkojnë ndihmë brenda javës (në Qendrën Mediko-Psikoterapeutike ‘Labirint’) është rreth 6 fëmijë’, tha Blakaj.

Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve të rendit që të parandalohet përdorimi dhe shitja e drogave, organizatat joqeveritare konsiderojnë se qasja e të rinjve deri te shitësit e drogave nuk është e vështirë, gjë që, sipas tyre, është shumë shqetësuese.

Ato konsiderojnë se mungesa e një koordinimi të duhur të shumë mekanizmave institucionalë bën që kjo çështje të mos parandalohet.

Edhe vet të rinjtë thonë se qasja deri tek drogat e ndryshme në Kosovë është e lehtë. Shpresa 23 vjeçare, studente e Fakultetit të Arteve tha se përdorimi i substancave narkotike është tejet shqetësues, e sidomos fakti që ato përdoren edhe nëpër shkolla.

‘Duke marrë parasysh që fëmijët në shkolla kanë qasje në droga dhe i përdorin ato, kjo tregon mjaft se blerja e saj nuk është problematike. Në shkolla kryesisht përdoret marihuana, që njihet si drogë e lehtë, por fëmijët e moshave nga 12 deri në 16 vjeç, megjithatë mendoj se nuk do duhej të kishin qasje’, tregon Shpresa.

Ndryshe, përdorimi i substancës narkotike të llojit heroinë, kohët e fundit, ka shënuar rënie të përdorimit nga të rinjtë e Kosovës, për dallim nga vendet e tjera të botës, ku thuhet të ketë pasur rritje të përdorimit të saj.

COMMENTS