Thirrje publike bizneseve që të ndalin promovimin përmes broshurave – po ndotet mjedisi (Foto)

Let’s Do It Kosova u bën thirrje publike të gjitha bizneseve që të ndalin formën e promovimit të produkteve apo shërbimeve të tyre përmes broshurave q

Let’s Do It Kosova u bën thirrje publike të gjitha bizneseve që të ndalin formën e promovimit të produkteve apo shërbimeve të tyre përmes broshurave që vendosen nëpër makina apo në hyrje të objekteve të banimit.

Përderisa Kosova po vazhdon të përballet me probleme të shumta të mjedisit, ndotjes së tij po i kontribuojnë pothuajse të gjitha qendrat tregtare përmes broshurave që po i vendosin nëpër makina e dyer të objekteve të banimit, për të promovuar produktet apo shërbimet e tyre. Kjo formë e promovimit të bizneseve ka irrituar qytetarë të shumtë, të cilët i adresojnë këto ankesa tek Let’s Do It Kosova dhe kërkojnë që të ndërmerren masa për ndalimin e tyre. Përveç ankesave të qytetarëve, kjo formë e promovimit po ndikon në ndotjen e mjedisit në tërë Kosovën, sidomos në zona urbane.

Në raste të tilla, qendrat tregtare në vend se të kenë përgjegjësi sociale dhe të mendojnë se si ta ruajnë mjedisin, bëjnë të kundërtën përmes grumbujve të broshurave, të cilat i hasim çdo ditë në hyrje të secilit objekt të banimit, nëpër makina apo edhe më keq, kur ato shihen të hedhura gjithandej nëpër rrugë e trotuare, duke u bërë faktor për ndotjen e mjedisit.

Ne kërkojmë nga organet përgjegjëse që të ndërmarrin masa për parandalimin e kësaj dukuri, e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë po ndikon në ndotjen e mjedisit dhe si e tillë sanksionohet në bazë të Udhëzimit Administrativ Nr. 14/2015 për Ndëshkime me Gjoba Mandatore, të cilin Let’s Do It Kosova është duke e monitoruar dhe promovuar në kuadër të projektit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë “Skema e granteve për nismat e avokimit nga organizatat me bazë në komunitet” – zbatuar nga KCSF (Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile).

Pra, Let’s Do It Kosova njofton të gjitha bizneset që sa më parë të ndalin këtë ndotje të mjedisit, në të kundërtën do të reagojmë në bazë të mundësive ligjore. Po ashtu, i inkurajojmë të gjithë qytetarët që edhe më tej të vazhdojnë t’i raportojnë këto raste.

Parandalimi i kësaj dukurie është domosdoshmëri pasi në muaj shpenzohen tonelata letra, ndërsa të gjitha përfundojnë nëpër natyrë, duke e ndotur dhe dëmtuar atë.

COMMENTS