Thaçi: Viktimat e krimit të trajtohen me dinjitet

Thaçi: Viktimat e krimit të trajtohen me dinjitet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se përkushtimi ndaj respektimit i të të drejtave të njeriut e sidomos kategorisë së viktimave të krimit, duhet të jetë i përditshëm.

Këto deklarime Presidenti Thaçi i dha sot gjatë një konference të mbajtur në kuadër të javës për të drjetat e viktimave të krimit e cila po shënohet në Kosovë.

Tutje i pari i vendit ka thënë se në bazën e rekomandimeve për trajtimin e dinjitetshëm të viktimave të krimit, institucionet e vendit duhet të jenë të orientuara në krijimin e kushteve sa më të mira për këtë lloj të shoqërisë, ndërsa shumë të rëndësishme sheh ligjin për kompensimin e viktimave të krimit.

‘Në këtë drejtim duhet cekur të rëndësishëm ligjin për kompensimin e viktimave të krimit. Sot kur po shënojmë javën për të drejtat e viktimave të krimit, jemi mbledhur këtu për të treguar mbështetjen tonë dhe mbrojtjen ndaj tyre’.

‘Përkushtimi ynë ndaj tyre duhet të jetë i përditshëm. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të orientuara në krijimin e kushteve në mbrojtjen e viktimave të krimit’.

‘Ftoj të gjitha institucionet që viktimat të trajtohen me dinjitet’.

‘Zotohemi se do të vazhdojmë angazhimin që republika e Kosovës t’i mbrojë avancojë të drejtat e njeriut në përgjithësi e po ashtu dhe viktimat e krimit’, njofton Klan Kosova.

‘Uroj që në vazhdim në shtetin tonë të kemi gjithnjë e më pak viktima të krimit’.

Ndërkaq, kryeprokurori i shtetit Aleksander Lumezi, gjatë ‘Javës për të drejtat e viktimat të krimit’ të organizuar nën patronazhin e tij, u zotua se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që kjo kategori e njerëzve të trajtohet me respekt dhe dinjitet.

‘Të drejtat e viktimave janë të garantuara me kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, dhe si të tilla duhet mbrojtur nga shteti. Dua t’i siguroj të gjithë që do t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme që këto viktima të trajtohen me respekt dhe dinjitet’,tha ai.

‘Viktimat duhet të trajtohen sipas standardeve më të larta për të drejtat e njeriut. Viktimat e krimit janë një kategori e cila duhet të ketë mbrojtje’.

‘Pres nga prokurorët e shtetit që me përkushtim t’i shërbejnë viktimave të krimit, duhet të rrisni komunikimin me viktimat e krimit sepse mund të bëhen pjesë e rëndësishme e punës suaj. Të gjithë ne duhet të angazhohemi më shumë në zbulimin e veprave penale si dhe në mbrojtjen e viktimave të krimit’, tha ai.

COMMENTS