Thaçi: Serbia vazhdon fushatën kundër Kosovës në Interpol dhe Unesco

Kosova përfiton 70 milionë euro nga IPA, priten investime në drejtësi dhe fusha tjera
Institucionet shëndetësore nuk ka kush t’i inspektojë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një editorial për të përditshmen prestigjioze gjermane ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’ ka shkruar për marrëdhëniet dhe dialogun me Serbinë.

Thaçi shkruan se Kosova dhe Serbia janë duke dialoguar për më shumë se gjashtë vjet nën patronazhin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara, drejt synimit të normalizimit të marrëdhënieve.

‘Ne duhet të pranojmë se hapa të mëdhenj janë bërë në këtë drejtim, duke arritur kulmin me nënshkrimin e Marrëveshjes së Parë mbi Parimet e Qeverisjes së Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013, megjithatë normalizimi i plotë i marrëdhënieve mbetet një qëllim i paarritur’, ka shtuar ai, transmeton “Zeri.info”.

Sipas tij, dy shtetet dhe popujt tonë aspirojnë që ta ndërtojnë një të ardhme më të mirë, një në të cilën janë tërësisht të integruar në familjen Evropiane (dhe në rastin e Kosovës edhe në NATO) dhe në një të ardhme ku gëzojnë një standard më të lartë të jetesës dhe gjendje të mirëqenies ndryshe nga realiteti i tanishëm.

‘Por këto qëllime vështirë se mund të arrihen me vazhdimësinë e asaj që është në thelb një konflikt i ngrirë ndërmjet dy shteteve tona’, ka shtuar ai.

Thaçi ka shkruar në FAZ se deri më tani, Kosova dhe Serbia kanë pasur tri raunde të negociatave ndërkombëtare: në Rambuje në vitin 1999, në Vjenë në 2005-2007 dhe tani në Bruksel që nga viti 2011.

‘Unë kam qenë pjesë e të tri negociatave dhe jam krenar të them që Kosova gjithmonë është dakorduar me marrëveshjet të cilat ishin të ndërmjetësuara nga komuniteti ndërkombëtar. Serbia në anën tjetër, nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të vë shumë resurse për të dëmtuar përpjekjet tona për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës’, ka shkruar Thaçi në këtë editorial.

Ai më tej ka thënë se për shkak të këtij qëndrimi armiqësor, aspirata e Serbisë për anëtarësim në BE mbetet e pa sigurt. Sipas tij, të dy shtetet janë të bllokuara dhe e ardhmja e tyre euroatlantike varet nga aftësia e tyre për të arritur një marrëveshje përfundimtare historike mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe të pajtimit.

‘Dialogu në Bruksel është zvarritur. Marrëveshja e muajit prill 2013 ishte një triumf politik, por kanë kaluar tashmë katër vjet që kur u arrit dhe zbatimi i disa pikave të marrëveshjes është duke ngecur ende. Përderisa natyra teknike ishte një parakusht për t’i filluar bisedimet, tani ka ardhur koha të përballemi me problemin e njohur; çështjen që e bën zbatimin e marrëveshjeve më teknike të vështirë: mungesa e pajtimit dhe njohjes së ndërsjellët’, ka theksuar Thaçi në editorial për FAZ.

Sipas tij, besueshmëria e dialogut është vënë në dyshim madje edhe përderisa po bëjmë përparim në fusha të caktuara, sepse është e qartë për cilindo mbikëqyrës të këtyre bisedave që antagonizmi ndërmjet shteteve është po aq i dukshëm sot siç ka qenë përherë.

‘Për shembull, përderisa bisedimet në Bruksel kanë prodhuar një marrëveshje mbi pjesëmarrjen e Kosovës në organizata rajonale, Serbia vazhdon të bëjë fushatë të fuqishme kundër ofertave për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare të bëra nga Kosova, madje edhe kur nga këto anëtarësime do të përfitonte trashëgimia kulturore e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë (oferta për UNESCO) apo serbët e Kosovës’, ka shtuar Presidenti.

Thaçi ka shkruar se sukseset graduale në pikë të izoluara kanë qenë të gjitha të rëndësishme, por me këtë shpejtësi, marrëdhëniet tona do të mund të normalizoheshin ndoshta pas 100 vjetëve.

Sipas tij, është bërë e qartë që koha ka ardhur për një vizion më të madh dhe më të qartë dhe një lidership që i adreson çështjet ndërmjet nesh përgjithmonë. Ai ka shtuar e çështja themelore është natyrisht që ne të vazhdojmë ta shohim njëri-tjetrin si kundërshtarë, duke i fshehur ndarjet tona të thella nën qilim, nuk është zgjidhje dhe nuk do të çoje në pajtim.

‘Nuk mund të pajtohemi me atë se ku po shkojmë nëse kemi mosmarrëveshje bazike rreth asaj se prej nga vijmë. Kjo është arsyeja pse unë i kam dyfishuar përpjekjet e mia që të merrem me disa nga pyetjet më të vështira rreth të kaluarës sonë, duke krijuar një Komision për të Vërtetën dhe Pajtim’, ka kujtuar Thaçi.

Ai ka thënë se përfundimisht, ne besojmë se e arritur do të ishte të nënshkruhet një Marrëveshje finale mbi Normalizimin dhe Pajtimin ndërmjet dy shteteve tona.

Sipas tij, përmes saj, ne do të angazhoheshim që të zgjidhim të gjitha mosmarrëveshjet me mjete paqësore. Thaçi ka shkruar se në fund, marrëveshja historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do duhej të përfshijë njohjen e ndërsjellë si rrugë e vetme që t’u epet fund të gjitha mosmarrëveshjeve njëherë e përgjithmonë.

‘Arritja e këtij qëllimi përfundimtar është jashtëzakonisht e vështirë për të dy vendet dhe kërkon lidership të guximshëm dhe të mençur. Fuqimisht besoj që si në Kosovë, po ashtu edhe në Serbi, lidershipi mbetet i përkushtuar ndaj asaj se çfarë pret populli ynë nga ne – që të arrijmë paqen ndërmjet nesh. Që kjo të ndodhë, të gjithë duhet të jemi kreativë dhe të jemi të gatshëm që të bëjmë kompromise të mëtutjeshme. Duhet të jetë e qartë për të gjithë që të bëhet kjo është e domosdoshme për hir të paqes së qëndrueshme të popujve tanë dhe të gjeneratave që po vijnë’, ka shkruar ai.

Thaçi në FAZ ka shkruar se ashtu siç do duhej që zgjidhja përfundimtare e konfliktit tonë të njohë realitetet historike dhe aktuale, ajo gjithashtu duhet të adresojë kërkesat e së ardhmes.

Sipas tij, e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë, sikurse ajo e pjesës tjetër të Ballkanit, është si fqinjë miqësorë brenda Bashkimit Evropian.

‘Jam i bindur se normalizimi dhe pajtimi është hapi i parë për të na çliruar nga pesha e së kaluarës dhe një hap që do të na shtyjë në një të ardhme më të ndritur. Është e qartë se kur ne të veprojmë kështu, Bashkimi Evropian duhet të njohë përpjekjet tona, dhe se përderisa ne e ndërrojmë shpejtësinë në cepin tonë të Evropës, një shpejtësi duhet të ndërrohet në trenin e pranimit në Bruksel dhe në kryeqytetet evropiane njëlloj. Duhet të sigurohemi që të mos humbasim trenin e fundit për një paqe të qëndrueshme’, ka shkruar Thaçi.

COMMENTS