Thaçi pranon vetëm propozimin e Veselit për kryeministër

Në koalicionin PAN, presidenti Hashim Thaçi e ka për adresë komunikimi vetëm Kadri Veselin.

Me të do të komunikojë rreth mandatarit për formimin e Qeverisë re, pavarësisht zhvillimeve që, deri atëherë, mund të ndodhin në koalicion, qoftë edhe nëse Partisë Demokratike (PDK) i shkëputen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën.

Një burim i gazetës ‘Koha Ditore’ në Presidencë ka thënë, të enjten, se kur t’ia propozojë Kuvendit kandidatin për kryeministër, kreu i shtetit fare nuk do t’i marrë për bazë zhvillimet që mund të jenë brenda koalicionit.

‘Për koalicionin që i ka fituar zgjedhjet flet ai, në emër të të cilit, në KQZ, është regjistruar koalicioni. Presidenti ka punë me certifikatat e subjekteve politike që i merr në KQZ, dhe fare nuk i interesojnë dinamikat politike’, ka thënë ky burim.

‘Do të jetë e lehtë kësaj here, ngase është udhërrëfyes i mirë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatarin’, shton ai.

COMMENTS