Thaçi: Nuk ka ndarje, e as shkëmbim territoresh

Thaçi: Nuk ka ndarje, e as shkëmbim territoresh

Ndihmës sekretari i Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell ka arritur në Kosovë ku është pritur nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Pas pritjes, dyshja kanë mbajtur një konferencë për media, në të cilën Thaçi ka falënderuar Mitchell për vizitën e tij si dhe për bashkëpunimin e mirë që ka SHBA me Kosovën.

‘Sapo zhvilluam një takim të shkëlqyer me z.Mitchell, të cilin dëshiroj të falënderoj për vizitën e tij në Kosovë, është kjo vizita e parë e tij në Ballkanin-Perëndimor në cilësinë e re duke filluar nga Kosova.Takimi ishte shumë miqësor dhe konstruktiv. Ju zotova edhe njëherë që shteti i Kosovës është duke punuar aktivisht dhe shumë përgjegjshëm në mënyrë që të konsolidoj edhe më tepër shtetin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtarë.SHBA kanë qenë, janë dhe do të mbesin partner strategjik të Kosovës me miqësi të përhershme dhe marrëdhënie të veçanta.Dua të falënderoj, z.Mitchell për vëmendjen e veçantë që po i jepet Kosovës dhe tërë Ballkanit, për të lëvizur më shpejtë drejt anëtarësimit në NATO por edhe në BE. E informova për mundësitë e reja dhe përkushtimin tonë që të përmbyllet sa më shpejtë çështja e demarkacionit që të kalohet edhe ky hap vendimtar për liberalizimin e vizave.Shpresoj që koalicioni qeverisës janë duke biseduar në mënyrë intensive me Listën Serbe dhe që të votohet demarkacionit.Askush më nuk ka asnjë arsye që të vonojë ratifikimin e demarkacionit. Është interes strategjik dhe shtetëror. Gjithashtu biseduam për hapat e mëtejshëm të FSK-së për themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës, si parakusht për të filluar procesin e partnerit për paqe dhe pastaj anëtarësimin në NATO.Diskutuam për mundësinë e vazhdimit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, si mundësi për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, që do të qonte në një frymë pajtimi. Kosova nuk pranon ndarje, shkëmbim territoresh dhe ndonjë autonomi. U zotuam se Kosova do të vazhdoj të jetë kundër terrorizmit dhe fundamentalizmit. Ka qenë dhe do ta jetë kampione në rajon lidhur me këtë’,ka thënë Thaçi.

Gjithashtu ai ka thënë se nuk është diskutuar vetëm për politikë dhe çështje diplomatike por edhe për ekonomi.

‘Nuk kemi diskutuar vetëm politike dhe çështje diplomatike por edhe për ekonomi. Është shumë e rëndësishme që SHBA-të të sjellin investitorë dhe që shpejtë do të fillojë edhe puna e termocentralit, si ndër investimet më të fuqishme’,ka përfunduar Thaçi.

COMMENTS