Thaçi dhe Delawie nënshkruan marrëveshje prej 30 milionë dollarë

Thaçi dhe Delawie nënshkruan marrëveshje prej 30 milionë dollarë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie kanë nënshkruar amandamentimin e Marrëveshjes mbi Grantin e Objektivave Zhvillimore në vlerë prej 30 milionë dollarë.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se një marrëveshje e tillë do të nxisë investime në sektorë të ndryshëm.

‘Kjo marrëveshje është një hap përpara dhe nj tregues se SHBA-të vazhdojnë përkrahjen për Kosovën në konsolidimin e shtetit dhe në forcimin e rendit dhe ligjit’, tha ai.

I pari i shtetit ndërkaq e vlerësoi shumë të rëndësishme edhe marrëveshjen e cila pritet të nënshkruhet nesër për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’.

‘Është hap shumë pozitiv që në prag të shënimit të 10 vjetorit të pavarësisë do të nënshkruhet një marrëveshje tjetër në sektorin e energjisë elektrike në vlerë prej 1.3 miliardë euro, investim ky amerikan’, tha Thaçi.

Ndërkaq, edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie tha se partneriteti amerikan dhe i Kosovës është i fuqishëm, derisa u zotua se SHBA-të mbesin të përkushtuara në zotimet e tyre në mbështetje të Kosovës.

‘Dhjetori është gjendja më e përshtatshme për të bërë një vlerësim për të arriturat se gjatë këtij viti janë shënuar të arritura të rëndësishme. Kosova ka kaluar nëpër zgjedhje dhe krijimin e qeverisë së re dhe kemi pasur integrimin e gjykatave të Kosovës , por edhe nesër do të nënshkruhet një nga investimet më të mëdha në sektorin e energjisë elektrike dhe të gjitha këto janë mbresëlënëse’, tha diplomati amerikan Delawie.

COMMENTS