Thaçi bën thirrje që të dielën të votohet për një të ardhme më të mirë

Thaçi bën thirrje që të dielën të votohet për një të ardhme më të mirë

Nisi punën Bordi Drejtues i Sigurimeve Shëndetësore
Shoferi humb kontrollin mbi makinën e tij, vdes një e lëndohet një tjetër pasagjer

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, përmes një shkrimi në llogarinë e tij Facebook, ka bërë thirrje që të dielën të votohet, përmes së cilës populli të bëhet pjesë e një procesi të lirë, fer dhe demokratik.

Ka thënë se fton të gjitha partitë politike, institucionet e sigurisë, të drejtësisë, monitoruesit ndërkombëtarë dhe mediet të mbështesin mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Postimi i Thaçit:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të dielën organizohen zgjedhjet lokale për kryetarë dhe asamblistë të Kuvendeve Komunale në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Pjesëmarrja e juaj masive në këto zgjedhje nuk është vetëm plotësim i një norme demokratike, por edhe mundësi ideale për të përcaktuar dhe projektuar katër vitet e ardhshme të qeverisjes lokale.

Këtë mundësi duhet ta shfrytëzojë çdo qytetarë, në çdo komunë, anekënd Kosovës. Mundësinë për të zgjedhur të lirë, në rrethana paqeje përmes një procesi demokratik, të monitoruar nga miqtë ndërkombëtarë, e kemi fituar me shumë sakrifica.

Me të njëjtin përkushtim duhet të bëhemi pjesë e vendimmarrjes, e qeverisjes komunale, e përmirësimit të mirëqenies dhe infrastrukturës së qyteteve dhe fshatrave tona.

Këtë mund ta bëni vetëm nëse të dielën dilni për të votuar, duke u bërë pjesë e një procesi të lirë, fer dhe demokratik.

Pavarësisht bindjeve politike, ne, si qytetarë, si shoqëri, përmes këtyre zgjedhjeve, duhet të forcojmë edhe më shumë unitetin qytetar. Vetëm të bashkuar, do të jemi në gjendje të bëjmë transformimin e shoqërisë, të qyteteve dhe fshatrave tona.

Bashkëqytetar të nderuar,

Institucionet e Kosovës kanë bërë të gjitha përgatitjet që procesi zgjedhor i së dielës të jetë në frymën e njëjtë demokratike me proceset elektorale të viteve të fundit në Kosovë.

Ftoj të gjitha partitë politike, institucionet e sigurisë, të drejtësisë, monitoruesit ndërkombëtarë dhe mediat të mbështesin mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Qytetarët e Kosovës, as në këto zgjedhje, nuk duhet të lejojnë asnjë keqpërdorim të votës, apo lëndimit të procesit zgjedhor, i cili duhet të jetë konform standardeve demokratike.

Ftoj të gjithë qytetarët, që të dielën, më 22 tetor, të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike, për të votuar për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Faleminderit!

COMMENTS