Thaçi: Askush nuk mund t’i ikë përgjegjësisë duke thënë se s’ka qenë i informuar

Thaçi: Askush nuk mund t’i ikë përgjegjësisë duke thënë se s’ka qenë i informuar

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, nuk ka thënë se s’ka qenë i informuar për rastin e arrestimit të gjashtë shtetasve turq në Kosovë.

Ka thënë se ka marrë raport nga AKI-ja pas arrestimit, dhe duke e cituar atë raport, ka thënë se ‘turqit kryenin aktivitet të paligjshëm dhe të rrezikshëm në Kosovë’. Në anën tjetër ka akuzuar institucionet e vendit që të mbrojnë parimin themelor të të drejtës së njeriut me rastin e arrestimit dhe deportimit të gjashtë ‘gylenistëve’.

Thaçi, ka thënë se teknikat e spiunimit dhe të terrorizmit janë sofistikuar shumë, pa dhënë më shumë detaje se për çfarë e ka fjalën.

Ka tingëlluar sikur e ka për kryeministrin e vendit, kur ka thënë se ‘askush nuk mund t’i ikë përgjegjësisë duke thënë se nuk ka qenë i informuar’.

‘Ajo që dëshiroj të potencoj që në fillim është që situata në Kosovë është e qetë. Kemi marrë masat përkatëse që edhe kjo festë të kalojë pa asnjë incident’, kanë qenë fjalitë e para me të cilat ka nisur ai konferencën.

Për Thaçin, Kosova është shtet demokratik, i ndërtuar në përputhjet më të larta të vlerave demokratike, të cilat mbi të gjitha respektojnë të drejtat individuale të secilit pa dallim të përkatësive të tij.

‘Ky parim është i mishëruar në Kushtetutë. Si president i Kosovës jam i zhgënjyer që institucionet e vendit kanë dështuar të mbrojnë këto parime në rastin e arrestimit’, ka thënë Thaçi.

‘Unë jam i informuar dhe ende jam duke marrë sqarime shtesë lidhur me rastin dhe rrethanat në të cilat është kryer arrestimi dhe deportimi i gjashtë shtetasve turq. Në prani të partnerëv ndërkombëtarë kemi pranuar një raport nga AKI-ja që në mënyrë të detajuar sqaron pse është kërkuar arrestimi i tyre. Sipas këtij raporti, arrestimi dhe deportimit i tyre ka të bëjë me veprimtarinë e tyre të paligjshme dhe të rrezikshme në Kosovë. Sipas AKI-së, raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën’, ka thënë ai.

Ai ka thënë se detajet dhe procedurat duhet të sqarohen deri në fund nga AKI-ja dhe Ministria e Punëve të Brendshme. E ka lënë të kuptohet se nuk është bërë mirë me shkarkimin e dy zyrtarëve, Flamur Sefaj ish-ministër i MPB-së dhe Driton Gashi ish-drejtor i AKI-së.

‘Derisa këto hetime nuk përfundojnë, ne duhet të kemi kujdes se si sillemi me institucionet që garantojnë sigurinë në vend. Aktivitetet e spiunazhi dhe të terrorizmit bëhen në formën më të sofistikuar’, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka ftuar Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrje të AKI-së të hetojë këtë rast deri në fund.

COMMENTS