Thaçi: Arbëreshët model unik i qëndresës, ende e ruajnë identitetin e tyre

Thaçi: Arbëreshët model unik i qëndresës, ende e ruajnë identitetin e tyre

‘Vrasje në tentativë’ arrestohet një person në Gjilan
Haziri: Emri i të nominuarit për kryeministër bëhet me dije sa t’i përfundojmë koalicionet

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kalabri, mbrëmë ka vizituar edhe disa lokalitete për t’u takuar me komunitetin arbëresh atje.

Gjatë vizitës së tij në Ungro, Thaçi u prit nga ipeshkvi Donato Olivero dhe bashkë vizituan edhe katedralen e Ungros.

‘Vizita juaj e sotme te kjo seli episkopale nderon historinë e popullit besimtar arbëresh, i cili gjashtë shekuj ruajti dhe mbrojti gjuhën arbëreshe, zakonet, traditat dhe ritin bizantin të të parëve tanë’, u shpreh imzot Olivero, duke i uruar mirëseardhje presidentit Thaçi, siç tha ai ‘në zemrën e Arbërisë sonë shekullore në Kalabri’.

Presidenti në Ungro takoi edhe Kryetarin e Bashkisë, Guiseppino Santoianni, si dhe komunitetin arbëresh.

Para autoriteteve komunale dhe fetare të Ungros, Thaçi foli për rëndësinë e thellimit të komunikimit dhe bashkëpunimit mes Kalabrisë dhe Kosovës, duke ua garantuar atyre kujdesin e institucioneve të Kosovës për të shënuar përparime në ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit kulturor të arbëreshëve.

Më tej, Thaçi vizitoi edhe komunitetin arbëresh në Shën Mitër.

Thaçi aty u prit nga kryetari i këtij lokaliteti, Salvatore Lamirata, nga Kryetari i Fondacionit Arbëresh, Ferdinando Nociti, nga përfaqësues të Shoqatave Kulturore Arbëreshe dhe nga banorët të cilët kishin organizuar edhe program me muzikë dhe valle tradicionale arbëreshe.

Në teatrin e Shën Mitrit, Thaçi theksoi se arbëreshët janë model unik i qëndresës së një komuniteti, që me shekuj larg atdheut mëmë ende e ruajnë identitetin e tyre.

‘Ju jeni rrënjët tona të mirëfillta, origjinale, gjeneza dhe fillesa jonë. Jeni fija e pashkëputur dhe e mirëfilltë e racës shqiptare. Në Itali, brenda një populli me kulturë të madhe, që njerëzimit ia dha Renesansën, ju e ruajtët, zhvilluat dhe e mbrojtët identitetin. Ju e keni ruajtur gjuhën e të parëve tanë, traditat, besimin, rapsoditë dhe vallet’, u shpreh Thaçi.

Në shenjë nderimi për ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturës arbëreshe, me Medalje Presidenciale të Meritave, Thaçi në Shën Mitër dekoroi edhe profesoreshën Cettina Mazzei, e cila ka kontribuar për zhvillimin e arsimit në gjuhën amtare dhe mbrojtjen e kulturës arbëreshe.

Gjithashtu, për t’i inkurajuar që të veprojnë së bashku me institucionet e komunitetit në rrugën e bashkëveprimit, me po këtë medalje, presidenti dekoroi edhe Bashkimin e Shoqatave Arbëreshe (UNIARB) dhe Federatën e Shoqatave Arbëreshe (FAA).

Thaçi theksoi se këto organizata pareshtur kanë mbrojtur interesat dhe trashëgiminë e vyer gjuhësore dhe kulturore të arbëreshëve në Itali.

COMMENTS