Teatri ‘Oda’ nesër mbush 14 vjet

Teatri ‘Oda’ nesër mbush 14 vjet

52 vjet nga vdekja e Fan Nolit
Fjala e Skënderbeut përballë princave para vdekjes

Teatri ‘Oda’ të martën do të mbushë plotë 14-të vite punë. Ky teatër përgjatë këtyre viteve ka sjellë një frymë të re të kulturës, duke pritur në ambientet e tij shfaqje të ndryshme, ekspozita, filma, koncerte të rrymave të ndryshme, artistë nga vendet shqiptarë, por edhe më gjerë.

Kësisoj ky teatër shpesh herë e ka vendosur Prishtinën në hartën kulturore së bashku me vendet e tjera ndërkombëtarë që tashmë kanë një kulturë me themele të fuqishme shkruan KultPlus. Gjersa ka shërbyer edhe si hapësirë për të rinjtë që dëshirojnë të mblidhen të pinë kafe, bëjnë një ndejë, lexojnë libra dhe të thurin projekte të reja kulturore por edhe të bëhen pjesë e projektit ‘Oda për të rinj’ ku atyre u jepet rasti që në mënyrë aktive të marrin pjesë në projekte artistike të mbikëqyrur nga profesionistë.

Mirëpo rrugëtimi i Teatrit të pavarur ‘Oda’ i themeluar në fund të vitit 2002 me iniciativë e aktorit Lirak Çelaj dhe regjisorit Florent Mehmeti nuk ka qenë rrugë e shtuar me trëndafila dhe as e lehtë për ta kaluar. Në një rrëfim për KultPlus, regjisori Florent Mehmeti ka treguar për këtë udhëtim të mrekullueshëm, që ka sjellë momente të bukura por shpesh herë edhe sfida të pakuptimta për shkak të vështirësive financiare që kanë hasur.

“Nëse dikush do e kishte parashikuar se skena e pavarur edhe pas 14 viteve, pasi që, është marrë iniciativa për ta hapur teatrin “Oda” ka me qenë në gjendjen që është sot do të ishte diçka shumë e frikshme për mua. Nuk do kisha arritur që të besoja se do të ishim kaq të vetmuar meqenëse klima në Kosovë nuk ka mundësuar dhe nuk ka stimuluar hapje dhe zhvillim të institucione çfarë është ‘Oda’, është shprehur ai duke kujtuar fillimet e punës së Teatrit.

Ky udhëtim 14-të vjeçar shpesh herë kur mendohet nga Mehmeti, shihet si diçka shumë e gjatë e që ai thotë se madje mund të krahasohet me 14-të shekuj mirëpo në anën tjetër sipas tij i jep përshtypjen që kanë kaluar shumë shpejt sikur të ishin 14-të sekonda për arsyen e thjeshtë se ka pasur shumë ngjarje.

‘Ne kemi prodhuar më shumë se 50-të projektet kulturore, artistike të ndryshme dhe disa prej tyre janë shumë të mëdha kurse disa prej tyre kanë qenë më modeste, megjithatë nuk kanë munguar as sukseset sidomos në skenën ndërkombëtare gjatë pesë viteve të fundit ku jemi shumë më aktivë dhe një punë e madhe po bëhet në atë nivel e që shumë pak shihet në Kosovë’ u shpreh Mehmeti duke theksuar se kjo është shumë e vështirë për shkak të përkrahjes së vogël.

‘Janë dy dyer që mund të trokitën për përkrahje kulturore ajo e ministrisë së kulturës dhe e komunës së Prishtinës në rastin tonë, e që të dyja kanë akoma një këndvështrim denigruese dhe pothuajse tallëse sidomos për iniciativa që e kanë dëshmuar vetën e siç është Oda me këto 14-të vite ekzistencë dhe punë’, tha ai.

E gjithë kjo punë sipas tij është diçka që shihet dhe mund të matet. Për KultPlus, ai ka sjellë dy momente të cilat sipas tij janë edhe një pasqyrim i një pjesë të punës që “Oda” ka bërë. Ai ka kujtuar momentin kur pas shfaqjes “Muret e Padukshme” që për rrëfim ka izolimin, Robert McDowel i cili është pronar i ‘Summerhall’, një prej qendrave më të mëdha kulturore të Edinburg në shenjë respekti ka ngritur flamurin e Kosovës dhe atë Kombëtar në kulmin e ‘Summerhall’.

“Kjo nuk është më nderi i Odës por është nderi i Kosovës. Sepse në punën që e bëjmë ne nuk kemi as olimpiada as kampionate ku këndohen himne dhe valëviten flamurë por kjo ka ndodhë në kulturë, pasi që, tek ne po është problem edhe me u krahasuar pasi që ne nuk bëjmë gara nuk është diçka garuese”, theksoj Florent Mehmeti, duke vazhduar të flasë për klipin që ka realizuar Qeveria e Kosovës, për urimin e 9 vjetorit të pavarësisë, ku fëmijët që janë në këtë klip janë pjesë e grupeve të përhershme të teatrit Oda.

“Kjo tregon këtë shoqëri e cila nuk ka arrit as të stimuloj dhe as të prodhoj talente me gjithë këtë investim e më gjithë këto fonde që shkojnë pa zënë vend shumë sidomos nëpër institucione publike dhe prapë është pak ironike që shteti i Kosovës krijon një pamje një fytyrë më disa fëmijë të bukur dhe shumë të talentuar të cilët kanë dalë pikërisht nga “Oda”, dhe për të cilët shteti i Kosovës jo që nuk bënë shumë mirëpo ndonjëherë edhe pengon e ndonjëherë është edhe tallës”, tregoj tutje Mehmeti.

Teatri Oda, sipas Florent Mehmetit, është me të vërtetë i pavarur në kuptimin e pavarësisë edhe fondeve, por edhe nga patronazhi artistik. Puna e tyre sipas Mehmetit, nuk është ndalë dhe nuk ka për tu ndalur.

“Por suksesin më të madh që e kemi bërë ka qenë se e kemi sjellë më të vërtetë një skenë të pavarur të funksionimit, nuk na rrezikohet ekzistenca edhe kjo është një lloj mburrje dhe një formulë që duhet të aplikohet nga çdokush që pretendon me qenë i pavarur”, u shpreh për fund drejtori i teatrit Oda, Florent Mehmeti.

14-të, vjetori i themelimit të Teatrit Oda, do të festohet të martën me fillim nga ora 21:00. Në këtë festë, do të publikohet logoja e re e këtij teatri, do të rikujtohen ngjarjet në dhe nga Oda përgjatë këtyre 14-të viteve si dhe do të ketë muzikë nga ‘Trio Bibera’.

COMMENTS