Të rinjtë, të gatshëm t’i shërbejnë Ushtrisë së Kosovës (Video)

Të rinjtë, të gatshëm t’i shërbejnë Ushtrisë së Kosovës (Video)

Vuçiq merr guximin: Kosova është e humbur për Serbinë (Video)
Proceduralisht, nesër me seancë të jashtëzakonshme, mund të votohet demarkacioni (Foto)

Forca e Sigurisë së Kosovës, në një të ardhme të afërt, do të transformohet në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Kështu kanë deklaruar disa herë përfaqësuesit politik që thonë se “po punojnë për ta realizuar këtë synim”.

Udhëheqësit shtetëror thonë se “Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme t’u përgjigjet të gjitha sfidave të sigurisë në tërë territorin e vendit.

Ndërkohë, edhe të rinjtë në Kosovë thonë se, si çdo shtet tjetër, Kosova duhet ta ketë ushtrinë e vet.

Në Rubrikën e përjavshme VOX, të Radios Evropa e Lirë, disa nga të rinjtë thonë se Kosova është e gatshme për ushtrinë e saj dhe me “dëshirë do të shërbenin për të”.

Njëra nga to është Vjosa Çerkini, studente në Departamentin e Gazetarisë, në Universitetin e Prishtinës.

“Po, besoj se tashmë është koha e fundit të formohet Ushtria e Kosovës. Kosova është e gatshme dhe më se e nevojshme që ta ketë ushtrinë e saj. Mendoj se njerëzit janë të gatshëm t’i kontribuojnë shtetit dhe vendit tonë”, tha Vjosa.

Ngjashëm shprehet edhe Dren Qerimi, student në Fakultetin Juridik. Ai beson se Forca e Sigurisë së Kosovës është e përgatitur që të shndërrohet në Forca të Armatosura.

“Besoj se Kosova është e gatshme për ushtri dhe vlerësoj se FSK-ja ka përmbushur kërkesat për t’u transformuar në ushtri. Shërbimin i cili kërkohet, gjashtë mujor, më dëshirë do ta përfundoja. Varet çka kërkohet. Nuk jam shumë i njohur me kërkesat, por besoj se do të kontribuoja në mënyrën më të mirë që kisha mundur, po të më ofrohet mundësia“.

Qëndresa Rexhaj, po ashtu shpreh dëshirën që në të ardhmen të jetë pjesëtare e ushtrisë së Kosovës.

“Mendoj se po. FSK është e përgatitur që të shndërrohet në ushtri. Po gjithsesi do të shërbeja për vendin tim. Në cilëndo mënyrë do të shërbeja”, shprehet Qendresa.

I gatshëm të shërbejë në Ushtrinë e Kosovës është edhe i riu tjetër Zeqir Dashevci.

“Po mendoj se po. Ne si shtet jemi të gatshëm për të pasur ushtrinë tonë .Pse jo. Kur është puna për vendin tënd – pse jo. Varet çka kërkohet”.

Privilegj e konsideron shërbimin në ushtri, Ideal Zhubi, student në Departamentin e Farmacisë në Universitetin e Prishtinës.

“Pasi jemi populli me përqindjen më të madhe të te rinjve, jemi të gatshëm edhe për ushtri. Edhe unë gjithsesi do të shërbeja si ushtar i Kosovës”, ka thënë Zhubi.

Por, ndryshe shprehet Arizon Rexhepi, nxënës në shkollën e mesme në Prishtinë. Ai thotë se Kosova nuk është e gatshme për ushtri, por megjithatë, kur do që formohet, Arizoni ëndërron të jetë pjesë e ushtrisë se Kosovës.

“Unë do të shërbeja me gjithë dëshirë në ushtri edhe pse nuk është e gatshme. Ka ende shumë probleme. Unë jam i ri, por kam dëgjuar në media se ka probleme”, thotë Arizioni.

Ndryshe, institucionet kompetente në Prishtinë, disa herë kanë deklaruar se kanë përfunduar përgatitjet e nevojshme të planifikimit dhe procesit të transformimit.

Forcat e Armatosura, kanë vlerësuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, mund të themelohen nën mbikëqyrjen e NATO-s, me numër të caktuar ushtarësh dhe me armatim dhe pajisje të përcaktuara në marrëveshje me NATO-n.

Por, ndryshimet kushtetuese, të cilat do t’i hapnin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, kanë mbetur peng i zhvillimeve politike në vend.

Forcat e Armatosura sipas udhëheqësve shtetëror do të jenë garantues dhe kontribuese të stabilitetit, si në vend po ashtu edhe rajon.

COMMENTS