Tahiri: PDK u rikonfirmua partia e parë

Tahiri: PDK u rikonfirmua partia e parë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) rikonfirmohet subjekti më i madh politik në Kosovë pas përfundimit të procesit zgjedhor. Kështu theksoi anëtari i kryesisë së kësaj partie, Abelard Tahiri, sipas të cilit PDK do të jetë në balotazh në shumicën e komunave.

Tahiri në një konferencë për media u shpreh se me fitoren e PDK-së, fituan vetë qytetarët, pasi ata i besuan PDK-së, kandidatëve të saj, lidershipit dhe frymës së re që e ka sjellë lideri i partisë, raporton KP.

‘Tanimë që ka përfunduar procesi zgjedhor, kemi një pasqyrë të qartë nga degët tona të PDK-së anë e mbanë vendit, del se PDK-ja në nivel vendi rikonfirmohet si forcë e parë politike, gjithashtu në shumicën e komunave në Kosovë del të jetë e partia e parë edhe në balotazh. Çdo herë që ka fituar PDK-ja kanë fituar vetë qytetarët e Kosovës, lagjet, fshatrat dhe qytetet e tyre. Këtë frymë triumfuese të PDK-së, do ta vazhdojmë dhe ta kurorëzojmë edhe në balotazh. Këto ishin zgjedhje të cilat qytetarët i besuan PDK-së, i besuan kandidatëve të PDK-së, i besuan lidershipit të PDK-së dhe i besuan frymës së re që solli lideri i PDK-së, Kadri Veseli’, tha Tahiri.

Ndërsa, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, theksoi se PDK do të shkojë në 16 komuna në balotazh, ku shumicën prej tyre si e para.

‘Në zgjedhjet e sotme PDK-ja është fituese në nivel nacional. Në 16 komuna PDK-ja është fituese në shumicën e tyre prin me vota, kurse në disa prej tyre ne vazhdojmë të jemi në balotazh. Është tejet e rëndësishme të theksohet se PDK-ja është fituese në tri prej qyteteve më të mëdha, Prizrenin, Mitrovicën dhe Ferizajn ku është rikonfirmuar mbështetje e madhe qytetare për këto komuna. Gjithashtu, presim rezultate pozitive edhe në Gjakovë, Gjilan, Suharekë, Podujevë, sepse ekipet tona atje tashmë kanë filluar të na ofrojnë të dhëna ku ne vazhdojmë të presim rezultate nga këto komuna’, theksoi Deliu.

Tahiri ka shtuar se këtë fitore në raundin e parë PDK do ta vazhdojë fuqishëm edhe në balotazh.

COMMENTS