Sulmohet drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës Sokol Zogaj

Mëngjesin e sotëm derisa po nisej për punë, persona ende të panjohur kanë goditur me shufra metalike në kokë u.d drejtorin e burgjeve të Kosovës Sokol

Mëngjesin e sotëm derisa po nisej për punë, persona ende të panjohur kanë goditur me shufra metalike në kokë u.d drejtorin e burgjeve të Kosovës Sokol Zogajn.

Si pasojë, ai ka pësuar lëndime në kokë.

Sipas mjekëve gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Shpend Fazliu zëdhënës i QKUK-së ka thënë se Zogaj mëngjesin e sotëm ka kërkuar ndihmën e mjekëve pas lëndimeve që ka marrë.

‘Mund ta konfirmoj se ai ka kërkuar ndihmë pas plagëve të marra në kokë. Është jashtë rrezikut për jetë dhe gjendja e tij aktuale është stabile’, ka thënë Fazliu për Express.

Sipas tij, tash mbetet që pacientit t’i bëhen ekzaminime shtesë për të parë nëse ka lëndime më të thella.

Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës ka dënuar ashpër sulmin ndaj ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj.

‘Ministria e Drejtësisë dënon ashpër sulmin brutal ndaj z. Zogaj, dhe i fton organet kompetente ta trajtojnë rastin, në mënyrë që kryerësit e këtij akti brutal të dalin para organeve të drejtësisë’, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Në fund të komunikatës thuhet po ashtu se ministria do të bashkëpunojë me organet kompetente deri në zbardhjen e plotë të sulmit brutal ndaj Zogaj.

COMMENTS