Sulmohet ambasada amerikane në Podgoricë

Sulmohet ambasada amerikane në Podgoricë

Një person i panjohur hodhi një pajisje shpërthyese në ndërtesën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Podgoricë, konfirmoi Qeveria e Malit të Zi.

Sulmi ndodhi në orët e para të ditës së sotme, thuhet në njoftimin e postuar në Twitter.

‘Një person i panjohur bëri vetëvrasje me një pajisje shpërthyese. Para kësaj, ai person hodhi një pajisje shpërthyese nga kryqëzimi pranë Qendrës së Sporteve në ambasadën e Shteteve të Bashkuara’, thuhet në njoftim.

Qeveria tha se pajisja e hedhur në ambasadë ‘ka shumë të ngjarë’ të ketë qenë granatë dore dhe se hetimet janë në proces.

Ambasada amerikane në Podgoricë po ashtu e konfirmoi sulmin për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Drejtoria e Policisë së Malit të Zi tha se po nërmerr të gjithë hapat për të identifikuar sulmuesin.

Nënsekretari amerikan për diplomacinë publike dhe çështjet publike, Steve Goldstein, tha se askush në ambasadë nuk është plagosur, raporton New York Times.

Fotografi i Reutersit në Podgoricë tha se policia ka bllokuar rrugën ku ndodhet ambasada.

Ambasada i paralajmëroi shtetasit amerikanë që të qëndrojnë larg deri në njoftimin e radhës.

‘Ambasada e SHBA-së në Podgoricë i paralajmëron shtetasit amerikanë për një situatë aktive të sigurisë në ambasadën në Podgoricë. Shmangeni ambasadën deri në njoftimin e radhës’, thuhet në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e saj.

Ambasada po ashtu i udhëzoi amerikanët që t’i shmangin tubimet e mëdha në kryeqytet dhe të monitorojnë mediat lokale për përditësime mbi situatën.

Ajo i anuloi të gjitha shërbimet e parapara për ditën e sotme.

Incidenti në Podgoricë ndodhi saktësisht dhjetë vjet pasi demonstruesit sulmuan dhe dogjën ambasadën amerikane në Beograd, në shenjë kundërshtimi ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Mali i Zi i është bashkuar NATO-s vitin e kaluar, duke zemëruar qytetarët pro-rusë atje dhe gjetkë në Ballkan.

COMMENTS