Studentët kërkojnë votimin e marrëveshjes për demarkacionin

Studentët kërkojnë votimin e marrëveshjes për demarkacionin

Disa studentë të Universitetit të Prishtinës kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës me kërkesën e vetme që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi.

‘Stop Izolimi’, ‘Kosova pikë e zezë në Evropë’, ‘Votojeni demarkacionin’, ‘Nuk kam pasaportë shqiptare’, ishin vetëm disa nga kërkesat e studentëve drejtuar deputetëve të Kosovës.

Përveç parullave, studentët kishin veshur edhe fanella me ngjyrë të portokalltë, e cila simbolizon të burgosurit.

Valentin Beiqi, njëra nga organizatorët e protestës, kërkoi që deputetët e Kosovës të marrin vendime në interes të qytetarëve.

Beiqi: Protesta nuk ka të bëjë me partitë politike

‘Protesta nuk ka të bëjë asgjë me ndonjë parti politike apo me ndonjë subjekt politik, në fakt mbështetje është pritur të jetë sa më e madhe, ne nuk kemi me u ndal këtu, ne do të bëjmë edhe protesta tjera po mendoj që mesazhi jonë u dërgua te qeveritarët tanë, te deputetët e Kosovës. Përfaqësuesit tanë duhet me marrë një vendim në interes të qytetarëve të vetë, e interesi jonë është lëvizja e lirë dhe stop izolimit të vendit, votojeni demarkacionin’, tha ai, transmeton KP.

Edhe pse numri i protestuesve ishte i vogël , për të përkrahur këta studentë para Kuvendit të Kosovës kishte dalë edhe Berat Buzhala, i cili kërkesën e tyre e konsideron njerëzore.

Buzhala tha se Kosova është një burg masiv i cili i ngjason atij të Dubravës, dhe se për një liri të tillë nuk kanë luftuar shqiptarët.

Buzhala: Kjo kërkesë është njerëzore

‘Kjo ka qenë një kërkesë e studentëve që kanë kërkuar përkrahjen time dhe unë mendoj që është njëra prej kërkesave më njerëzore që mundet me u bë prej qytetarëve. Ne po jetojmë teknikisht të lirë , mirëpo të izoluar , pra ne jemi të lirë me një hapësirë territoriale të kufizuar, pra kjo nuk është liria të cilën shqiptarët e Kosovës janë angazhuar, kanë luftuar dhe janë organizuar ndër vite me dekada. Pra, mundem me quajt një burg masiv, i cili është më i madh se Dubrava, mirëpo që s’kemi drejt me dal, sepse njerëzit prej Dubrave dalin në pushim, pra janë të burgosur edhe drejtorati i jep leje me dalë me vizituar familjen, pra disa prej nesh lëvizim, mirëpo ne jemi të izoluar këtu dhe me të drejtë studentët kanë veshur edhe ndërresat e burgut, sepse ata janë pjesa që e vuajnë më së shumti këtë gjendje ku jemi ne sot’, tha Buzhala.

Studenti Arbër Rama tha se me këtë protestë po e kundërshtojnë izolimin që po i bëhet Kosovës.

Ai duke e konsideruar banale mos ratifikimin e demarkacionit kërkoi nga deputetët e Kosovës që fatin e liberalizimit të vizave të mos e lënë në duart e Listës Serbe.

Rama: Është banale, absurde

‘Është absurde, është banale, është tragjike për një rini që e ka Kosova sot me qenë të izoluar me prit për termine nëpër ambasada të stërgjata, të cilat janë shtatë tetë muaj. Humbja e bursave që i kemi fituar nëpër kolegjet ndryshme nëpër Evropë, këto janë thjesht diskriminim i shoqërisë kosovare për interesa të ngushta, interesa banale politike. Sot një arsye tjetër është që me iu kërkua deputetëve shqiptar me e votua demarkacionin me Malin e Zi, mos e leni në dorën e një liste e cila është e dirigjuar nga dora e Beogradit fatin e demarkacionit me Malin e Zi, atyre iu konvenon shtyrja e secilës seancë, por neve nuk na konvenon’, tha ai.

Fatmir Muqollu, i cili kishte ardhur enkas nga Gjermania për ta ngritur zërin pro demarkacionit, kërkoi që të zgjidhen problemet dhe të mos mbahen peng qytetarët.

Molliqi: Kam ardhur për ta përkrahur Qeverinë e Kosovës

‘Kam ardhur nga Gjermania për ta përkrahur Qeverinë e Kosovës dhe popullin shqiptar të kontribuoj në zgjedhjen e bllokadave që po e mbajnë peng popullin shqiptar’, tha Muqolli

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës javën e kaluar ka dështuar që ta votojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

COMMENTS