Stavileci për krizën energjetike: Pa panikë, do të keni rrymë

Paralajmërimet se mund të ketë mungesë të energjisë për shkak të mungesës së thëngjillit si pasojë e shpronësimeve, u diskutua edhe në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. Gjatë kësaj mbledhjeje ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci deklaroi se nuk ka hapësirë për panik, pasi që institucionet përkatëse, kanë ndërmarrë të gjitha masat e veprimit, që të mos ketë pengesa, sa i përket furnizimit me energji elektrike.

‘Mendoj që pas vendimit të marrë në Qeveri me 21 korrik, përsëri është hapur rrugë që në bazë të Ligjit për Shpronësim, ne t’i zgjidhim këto probleme duke parë tashmë dhe gatishmërinë e të gjitha institucioneve dhe përgatitjet që po bëhen nga të gjithë, besoj që në përputhje me këto afate duke nisur nga data 10 gusht kur do të mbahet ky dëgjim publik’, ka thënë ai.

Tutje Stavileci është shprehur se prej datës 11 gusht Qeveria do të veprojë në përputhje mandatet ligjore, që i ka secili institucion për të pasur së pari një vendim preliminar, siç e parasheh ligji për shpronësime.

‘…Pastaj të ezaurohet dhe pjesa tjetër e 15 ditëshit siç kërkohet në këtë ligj dhe pas periudhës 15 ditore t’i hapet rrugë vendimit final të shpronësimeve që pastaj do të jetë një sinjal për KEK që do të mund ta rinisë ose vazhdoj punën. Dhe duke ditur ato që janë ngritur në opinionin publik dhe nga KEK, por dhe nga të tjerët, mendoj që nuk ka hapësirë për ndonjë panik. Sepse edhe koha për të cilën kanë paralajmëruar ata edhe kjo që parashihet në bazë të ligjit, mendoj se mund të jenë në proporcion kohor në mënyrë që të mos ketë ndonjë krizë. Por, edhe po supozojmë në variantin më të keq, pra ne do t’i ndërmarrim të gjitha masat dhe të gjithë akterët janë të përgatitur, që të veprojnë në mënyrë që të mos ketë asnjë pengesë në furnizimin e rregullt me energji elektrike’, tha ai

Ndërkaq ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferat Shala tha se ministria që ai drejton i ka kryer punët që i takojnë sa i përket procesit të shpronësimeve, por sipas tij KEK-u është vonuar në këtë drejtim.

‘Mund të them me përgjegjësi të plotë se gjatë periudhës që unë menaxhoj me këtë Ministri, të gjitha detyrat ligjore sipas dy dokumenteve bazike kornizës dhe ligjit, i kemi realizuar dhe plotësuar me përpikëri. Për herë të parë ne rrënojmë atje shtëpi ilegale, për herë të parë MMPH vepron dhe zbaton ligjin. Të tjerat janë përgjegjësi e instancave tjera, qoftë të pushtetit lokal, qoftë të ndërmarrjeve publike, qoftë të aktereve tjerë juridik apo fizik…Ne i kemi kryer obligimet tona. Tanimë jemi në një situatë kur ne jemi duke e zbatuar ligjin e shpronësimit. KEK ka angazhuar tashmë dhe kompani te specializuara ndërkombëtare, është vonuar ç’është e vërteta dhe nuk ka arritur pajtueshmëri, me ata që kërkojnë kompensim apo kushte të tjera’, tha ai.

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa, kërkoi nga institucionet e vendit që të marrin masa, që vendi oë mos mbet pa furnizim me energji.

‘T’i marrim të gjitha masat që vendi të mos mbetet pa energji dhe që KEK të mos rrezikojë prodhimin e energjisë elektrike. Sepse çdo shkuarje në import të energjisë elektrike, është shumë i shtrenjtë dhe është kosto shumë e madhe për vendin. Është mirë edhe dje i kemi sugjeruar KEK-ut që të ndërmarrin të gjitha masat, gjatë kësaj periudhe deri me datën 10, të negociojnë me palët’, tha Mustafa.

COMMENTS