Sot zyrtarisht ka nisur fushata zgjedhore në Kosovë

Sot zyrtarisht ka nisur fushata zgjedhore në Kosovë

Sheshi Skënderbej në Tiranë, vlerësohet i dështuar
Mediat britanike: Tre shqiptarë ndihmuan viktimat e sulmit në Londër

Nga mesnata, apo fillimi i datës 31 maj, subjektet politike në Kosovë kanë nisur edhe zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 11 qershor.

Fushata, zyrtarisht zgjatë 10 ditë, edhe pse ajo ka nisur me aktivitete të ndryshme të subjekteve politike që nga 11 maji, ditën kur Presidenti i Kosovës, kishte shpallur datën e zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka premtuar organizimin e zgjedhjeve të lira e demokratike.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, siç citohet nga REL, ka thënë se me angazhimin e të gjithë akterëve, zgjedhjet do të mund të jenë shembull edhe për vendet tjera.

‘Zgjedhjet e lira e demokratike janë themeli i angazhimit tonë institucional, sepse qëllimi ynë është që zgjedhjet të gëzojnë besimin e qytetarëve dhe akterëve tjerë të procesit zgjedhor’, ka thënë Daka.

Në vijim, Valdete Daka ka kërkuar edhe nga subjektet politike që të respektojnë në tërësi procesin zgjedhor në mënyrë që zgjedhjet në fund të marrin vlerësimet më të larta ndërkombëtare.

‘Në emër të KQZ-së dua t’i ftoj subjektet politike që t’i respektojnë plotësisht detyrimet kushtetuese dhe ligjore. Vetëm në këtë mënyrë, duke u angazhuar të gjithë bashkërisht ne do të arrijmë që 11 qershorin ta kthejmë në një dite feste për qytetarët e vendit tonë. Është detyrë e jona e përbashkët që të angazhohemi për t’i treguar botës shembullin për zgjedhjet e lira e demokratike’, është shprehur Daka.

Zgjedhjet në Kosovë do të vëzhgohen nga mijëra vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendorë.

Ngjashëm me proceset paraprake, edhe zgjedhjet e 11 qershorit do të vëzhgohet edhe koalicioni i organizatave joqeveritare vendore, ‘Demokracia në Veprim’.

Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, që bën pjesë në këtë koalicion, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në këto zgjedhje do të angazhohen mbi 2500 vëzhgues. Ata, sipas Krasniqit, do të përkujdesen për integritetin e procesit zgjedhor dhe për të siguruar se votat e qytetarëve do të respektohen.

‘Ne do të vëzhgojmë edhe fushatën zgjedhore, aktivitetet e partive politike, do të thotë vetëm këtë pjesën zyrtare të fushatës, por jo edhe para-fushatën e cila ka nisur që moti’.

‘Sa u përket zonave, vëzhguesit tanë afatgjatë, të cilët janë të angazhuar në monitorimin e fushatës, zhvillojnë intervista më anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore si dhe me kandidatë të partive politike të cilat janë të përfshirë në procesin zgjedhor dhe nga ta ne kërkojmë që ta na japin disa prej rajoneve ku presin të ketë më shumë parregullsi’, ka thënë Krasniqi.

Fushata mbyllet më 9 qershor. Më datën 10, është heshtje zgjedhore, kurse më 11 qershor, pritet që qytetarët e Kosovës, me të drejtë vote, të vendosin se kush do ta qeverisë Kosovën, katër vitet e ardhshme.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, pasuan votimin në Kuvend të një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë më 10 maj.

Të njëjtën ditë, Presidenti i Kosovës pati shpërndarë Kuvendin, kurse në ditë më vonë pati shpallur 11 qershorin, datën për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet pakicë, 10 për komunitetin serb dhe 10 te tjera për komunitetet jo serbe.

Për ulëset në Kuvend garojnë 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare.

Për formimin e Qeverisë së Kosovës, janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend. Koalicioni apo partia fituese, kryesisht llogaritë në koalicione pas-zgjedhore edhe në pakicat, si kategori kushtetuese e domosdoshme për përfshirje në Qeveri.

COMMENTS