Skandali i MPJ-së në New York: ‘Prapa trafikuesit të armëve, krerë të lartë të PDK-së?’

Pesë persona janë arrestuar për trafikim armësh të lidhur me Kosovën, pastrim parash dhe trafikim droge, pas një operacioni përgjimi, me hetime të kry

Pesë persona janë arrestuar për trafikim armësh të lidhur me Kosovën, pastrim parash dhe trafikim droge, pas një operacioni përgjimi, me hetime të kryera nga agjencia amerikane kundër drogave, DEA.

Në mesin e tyre bën pjesë edhe ish-shoferi i Konsullatës së Kosovës në New York, 34 vjeçari Albert Veliu, i cili është i ndaluar nga autoritetet dhe i është mohuar e drejta e lirimit me kusht.
Prokurorët federalë thanë se Albert Veliu ndërmjetësoi shitjen e një rakete antitank dhe të pesëmbëdhjetë pushkëve AK-47 në Kosovë, që përfunduan në duart e agjentëve federalë amerikanë.

Autoritetet amerikane bashkëpunuan me Forcën Policore të Kosovës për zbulimin e këtij operacioni, ku policia njoftoi se gjatë aksionit në Kosovë, u arrestuan katër persona të lidhur me grupin.

Ndërsa, Ministria e Jashtme e Kosovës, bëri të ditur se Albert Veliut, i është ndërprerë marrëdhënia e punës me Konsullatën në Kosovë.

Por, si komentohet përfshirja e një personi që ka qenë pjesë e Konsullatës së Kosovës në Amerikë në grupin e trafikueseve?

Blakaj: Arrestimi i shoferit të Konsullatës, skandal diplomatik

Njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Sami Blakaj e ka quajtur skandal arrestimin e shoferit të Konsullatës së Kosovës në New York, duke thënë se për këtë përgjegjëse është politika e jashtme.

‘Arrestimi i fundit i punonjësit të Konsullatës sonë në New York nga autoritetet shtetërore amerikane është skandali i radhës që po i ngjan diplomacisë së Kosovës. Mos të harrojmë se skandale diplomatike Kosova kishte edhe më herët, siç ishte ai në Kroaci, Berlin dhe në disa vende të tjera mikpritëse. Në këtë kuptim, skandalet diplomatike tashmë nuk përbëjnë ndonjë risi për diplomacinë tonë, fatkeqësisht ato sot janë bërë pjesë përbërëse e MPJ-së dhe misioneve të saja diplomatike. Kjo kulturë e punës diplomatike nuk përkon as për së afërmi me diplomacinë perëndimore dhe si e tillë është e papranueshme dhe e dënueshme kudo në botën e civilizuar. E gjithë kjo situatë e dhimbshme diplomatike e ka adresën e saktë të përgjegjësisë dhe kjo adresë ka të bëjë me politikën e jashtme dhe me formulën e militantizmit politik, ku të qenit militant i partisë është më e rëndësishme se të kesh integritet personal dhe integritet profesional’, është shprehur ai për gazetën ‘Bota sot’.

Blakaj po ashtu ka thënë se një gjë e tillë e dëmton imazhin e shtetit të Kosovës.

‘Vendi ynë vazhdon të ketë një imazh jo të lakmueshëm në relacion me Bashkësinë Ndërkombëtare. Kësaj pasqyre të brishtë shtetërore po i kontribuojnë edhe misionet tona diplomatike, të cilat në vend që ta përmirësojnë imazhin e shtetit, ato mjerisht vazhdojnë ta dëmtojnë thellësisht atë’, ka deklaruar ai.

Tërnava: Prapa Aliut qëndrojnë persona në poste të larta shtetërore

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërrnava, në një prononcim për gazetën ‘Bota sot’, ka thënë se arsyeja e arrestimit të atyre personave, tregon se kush mund të qëndrojë prapa gjithë kësaj, duke përmendur edhe qëndrimin në Kosovë gjatë zgjedhjeve të ish-shoferit të Konsullatës së Kosovës në New York.

‘Arrestimet e 4 personave në Klinë dhe njëkohësisht arrestime të tjera që u bënë në bashkëpunim me policinë amerikane në NeëYork, tregojnë vet seriozitetin e këtij lloji të krimit të organizuar. Vet fjala e krimit të organizuar e tregon rëndësinë dhe mundësinë se kush mund të jenë akterë të krimeve të tilla. Kriminologjia e njeh këtë lloj të këtij krimit që vetëm “njerëzit me kravata” merren me këto lloje të këtij krimi. Personi në fjalë si Albert Veliu e që ka punuar në diplomacinë e Kosovës në New York si shofer, është një grusht i fortë ndaj diplomacisë së Kosovës si shtet i ri e në formim e sipër, sepse po e tregon përfshirjen edhe të shumë njerëzve tjerë që qëndrojnë prapa tij e të tjerëve të ngjashëm, ku dyshohet se edhe udhëheqës të partive dhe të institucioneve e që janë në poste të larta shtetërore, ishin në kontakt me personin në fjalë, dhe në mjetet e informimit kishte shkrime se ky person ishte gjatë gjithë kohës së zgjedhjeve të 11 qershorit në Kosovë, dhe nga ky person u kërkua që ta ndihmonte partinë e tij të preferuar PDK-në. Pati edhe shkrime tjera se për të është kërkuar që të zëvendësohet nga ky post i shoferit nga përfaqësues diplomatik, se është vërejtur aktiviteti i tij kriminal, por të mëdhenjtë e Kosovës nuk e kanë lejuar ndërrimin e tij’, ka deklaruar Tërrnava.

Më tej, ai ka thënë se persona të tillë futen në poste të larta, për ta pasur më të lehtë kryerjen e krimit.

‘Gjithsesi se edhe disa politikanë që shpesh shkruhet për ta se mund të jenë të lidhur me ta apo të ngjashëm, dhe jo rrallë herë nga shtetet demokratike të forta, janë kritikuar politikanët, sepse shërbimet e huaja kanë të dhëna që në krimin e organizuar ka edhe politikanë nga Kosova të involvuar në këto krime, dhe që disa nga ta edhe i mbikëqyrin dhe i organizojnë këto krime me njerëzit e tyre që i kanë postuar aty ku ka qenë e nevojshme që lirshëm mund të kryejnë krime të tilla: rasti i dhomës së dëshmive në ndërtesën e policisë e dëshmon këtë më së miri, që sot e asaj dite nuk u zbulua kurrë e shumë raste tjera të ngjashme. Jo rastësisht edhe në organet e luftimit të krimeve sot ka njerëz milionerë, e me rrogën që e marrin është e pamundur të mbijetojnë muajin ashtu siç duhet’, është shprehur eksperti i sigurisë për ‘Bota sot’.

Imazhi i brishtë i Kosovës

Duke thënë se një rast i tillë u zbulua pasi kishte të bënte edhe me amerikanët, Tërrnava ka theksuar se ky rast ndikon në imazhin e Kosovës.

‘Ky është vetëm një rast që u zbulua dhe u zbulua fatlumësisht për shkak që ndoshta kishte lidhje me amerikanët se pikëpyetje do të ishte se a do të zbulohej po mos të ndërhynin amerikanët. Kur flasim për politikanët se janë bërë milionerë, e populli i njeh mirë se deri dje kush kanë qenë, është për të besuar se shumë nga politikanët janë të lidhur me të tillë si në kontrabandim dhe në krim të organizuar. Kjo vepër e shumë të tjera që Kosova përflitet në arenën ndërkombëtare si shtet mafioz, ia prish shumë imazhin Kosovës, edhe ashtu jo të qëndrueshëm pasi jo rastësisht kemi ngecje në shumë lëmi të politikave ndërkombëtare, mos njohja nga 5 shtete të BE-së, mos liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës si i vetmi vend i izoluar në Evropë, mos suksesi i pranimit në UNESCO, INTERPOL, EUROPOL e shumë institucione ndërkombëtare tjera, e argumentojnë këtë që e thashë më lart dhe si pasojë e kësaj është edhe krijimi i Gjykatës Speciale në Hagë që pritet të fillojë punën javët apo muajt e ardhshëm’, ka thënë ai.

Ndryshe, përpos Albert Aliut, personat e arrestuar në Kosovë që bënin pjesë në këtë grup për trafikim janë Dilber Kukic, Ekram Sejdija, Xhevat Gocaj, Agim Rugova dhe Alban Veliu.

COMMENTS