S’ka arsye për ngërç politik, thonë analistët

S’ka arsye për ngërç politik, thonë analistët

Gjoba të rrepta për ndotësit e mjedisit (Foto)
Kosova nuk ka aplikuar në UNESCO, kjo është arsyeja

Ndonëse asnjëri prej koalicioneve parazgjedhore, përkatësisht subjekteve politike, nuk i ka fituar votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë, njohësit e rrethanave politike nuk presin të ketë krizë politike në vend.

Analistët Imer Mushkolaj dhe Astrit Gashi kanë thënë për gazetën ‘Epoka e re’ se koalicioni PAN e ka mundësinë e parë për ta formuar qeverinë e re. Por, sipas tyre, nëse PAN-i dështon, kushdo që siguron një shumicë prej 61 votash e bën qeverinë.

Ata kanë thënë se nuk ka asnjë arsye për ngërç politik meqë vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qartësuar çdo gjë.

‘Është shumë herët për t’i paragjykuar koalicionet. Deri në certifikimin e rezultateve askush as nuk mund të bëjë e as nuk mund të thotë që i ka numrat. Nuk ka asnjë arsye të kemi krizë. PAN-i e ka mundësinë e parë dhe, nëse e realizon, atëherë qeveria bëhet shpejt. Nëse PAN-i dështon, kushdo që siguron një shumicë prej 61 votash e bën qeverinë. Kriza mund të vijë vetëm nëse në rastin e dytë askush nuk pajtohet me tjetrin, posaçërisht nëse LDK-ja insiston të mbetet në qeveri dhe nuk bën koalicion me askënd, përfshirë edhe Vetëvendosje!-n. Pra, as nuk i bashkohet AAK-së dhe Nismës e as Vetëvendosje!-s, ose anasjelltas’, ka deklaruar Gashi.

Edhe njohësi i proceseve politike, Imer Mushkolaj, ka thënë se për dallim prej vitit 2014, këtë herë nuk ka arsye për të pasur ngërç politik. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë se si mund të dalë vendi prej krizës.

‘Nuk po them se nuk mund të ketë ngërç politik, por mendoj se nuk ka arsye për të pasur ngërç për shkak se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë i qartë. Nëse formimi i qeverisë procedohet sipas këtij vendimi nuk do të ketë ngërç, mirëpo nëse nuk procedohet atëherë do të ketë ngërç politik’, ka deklaruar Mushkolaj.

COMMENTS