Sipas Serwerit, Vetëvendosja e Lista Serbe janë anti kushtetuese

Sipas Serwerit, Vetëvendosja e Lista Serbe janë anti kushtetuese

Analisti dhe studiuesi në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike në Universitetin ‘John Hopkins’ Daniel Serwer, e ka quajtur Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Serbe subjekte politike anti kushtetuese.

Serwer tha kështu në një ligjëratë me temën ‘Ballkani, BE-ja dhe SHBA-të: A mund të sinkronizohen përsëri’. Sipas tij, nuk mund të bëhet ndryshimi i pushtetit me parti të cilat nuk e njohin aktin me të lartë juridik të shtetit.

Madje, ai theksoi se Vetëvendosjes i pëlqen Lista Serbe, veçse luan në një fushë tjetër.

‘Kosova ka së paku dy formacione politike anti kushtetuese. Lista Serbe dhe Vetëvendosje. Të dyja janë anti kushtetuese. Kjo në njëfarë forme i pëlqen Lista Serbe por po luan në fushën tjetër të lojës dhe kjo shihet qartë me Listën Serbe. Ata po luajnë në fushën e lojës me Beogradin si portier kryesor. Është e vështirë nga perspektiva e Kosovës të shihet me VV-në po mendoj se është e vërtetë për VV-në se po luhet në fusha të ndryshme të lojës. Mendoj që ndryshimi i pushtetit me forcat që nuk e pranojnë Kushtetutën është shumë e vështirë’, tha Serwer.

Serwer ka folur edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se Kosova duhet të përfundojë pjesën e fundit të dialogut me Serbinë, pasi nuk ka zgjidhje tjetër drejt rrugës evropiane, por duhet përgatitur për vendime të mëdha. Madje, tha se Kosova duhet ta quaj me çdo çmim sovranitetin.

‘Kosovës i duhen miqtë me shumë se kurrë gjatë dy viteve të ardhshme për të arritur qëllimet e veta strategjike. Pikë së pari me sovranitet të plotë, nuk duhet të ketë kompromis sa i përket përfundimit të sovranitetit, kompletimit të sovranitetit në gjithë territorin e qartë të vendit’, theksoi ai.

Serwer, idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë e ka quajtur katastrofale, pasi rezultati i kësaj do t’i jepte fund çdo shprese për hyrje në BE të paktën për një gjeneratë.

Për integrimin e saj në BE, Serwer tha se Kosova duhet t’i përmbushë disa pika, e së pari është sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit. Pasi, sipas tij, nuk janë aktet ligjore që do ta ngadalësojnë integrimin e Kosovës, por sundimi i ligjit.

‘E para dhe kryesorja është sundimi i ligjit. Shumë prej jush i dini detajet se çka kërkojnë evropianët. Sa shumë i rëndësishëm është gjyqësori për qeverisjen e mirë. Thelbi i demokracisë liberale janë të drejtat individuale. Nëse nuk janë në gjendje të mbështetën në gjyqësorin për t’i mbrojtur të drejtat si individ, unë do të kërkoj siguri diku tjetër për familjen, për grupin etnik, për racën, religjionin, për afinitetin tim politik. Të gjithë kemi këtë shumësi identitetesh, por kur rrezikohemi, rrezikohet siguria njëri prej tyre bëhet dominant ose inkluziv dhe rezultati është beteja për fuqinë’, theksoi ai.

Sipas tij, Kosova është e vogël dhe ata politikanë që përfitojnë shumë me shumë nga puna e tyre se sa duhet, atëherë duhet të japin llogari. Derisa, nepotizmi ka thënë se është aq i shpeshtë në Ballkan kur punësohet kushëriri dhe shihet familjare dhe jo keqpërdorim i pushtetit.

Administrata e Trump, tha Serwer, nuk është fort e interesuar për Ballkanin, madje edhe pse e ka gruan nga Sllovenia, ai asnjë ditë nuk ka qëndruar në këtë pjesë të Evropës.

Në ato që tha Serwer për Vetëvendosjes, nuk u pajtua deputeti i këtij subjekti, Xhelal Sveçla, i cili tha se e pranojnë Kushtetutën, por jo ato që janë keq.

‘Kur jemi të Kushtetuta dhe pranimi i Kushtetutës, normalisht që nuk ka dilema që Lëvizja Vetëvendosje e pranon pushtetin e Kosovës por nuk do të thotë që ne duhet t’i pranojmë edhe të metat që lindin nga ky proces apo edhe të metat që ekzistojnë në dokumentet ekzistuese’, tha Sveçla.

Analisti Serwer theksoi Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj, porse nevojitet edhe pajtimi i serbëve.

COMMENTS