Si e ka ndërtuar pasurinë Elon Musk dhe si i shpenzon 20 miliardë dollarët e tij (Foto)

Si e ka ndërtuar pasurinë Elon Musk dhe si i shpenzon 20 miliardë dollarët e tij (Foto)

Elon Musk mund të jetë shkencëtari më i pasur në botë

Me një pasuri prej rreth 20 miliardë dollarëve, 46 vjeçari, pronar i kompanisë Tesla dhe SpaceX, si dhe bashkëpronar i kompanisë OpenAI, thotë se nuk do të jetë i lumtur derisa të largohemi nga Toka dhe ta kolonizojmë Marsin.

Fatmirësisht, për të ndodhur kjo, ai i ka dy gjërat që i nevojiten: mendjen dhe paratë.

Si një person i ‘varur’ nga puna, Musk nuk i shpenzon paratë në pushime luksoze apo hobi të shtrenjta. Në vend të kësaj, ndërmarrësi shumicën e kohës e kalon në zyre apo në fabrika, ndërsa në fund të ditës kthehet në njërën nga katër shtëpitë luksoze që i ka në Los Angeles.

Si fëmijë që ishte duke u rritur në Afrikën Jugore, Musk ishte mësuar të kodonte. Kur ishte vetëm 12 vjeç, ai e kishte shitur një video-lojë të cilën e kishte krijuar vetë për 500 dollarë.

Vetëm pak para ditëlindjes së 18’të, Musk ishte shpërngulur në Kanada dhe kishte punuar punë të ndryshme, duke përfshirë prerjen e pemëve, korrjen e grurit, etj.

Pasi kishte filluar vitin e parë në Universitetin Queens në vitin 1990, Musk shumë shpejt kishte filluar t’u shiste pjesë kompjuteri dhe kompjuterë studentëve tjerë. ‘Mund të ndërtoja diçka për t’ua përmbushur atyre nevojat, siç ishte ndonjë pajisje për lojëra apo ndonjë procesor i thjesht i fjalëve që kushtonte më pak se atë që do ta blinin në dyqan’, kishte thënë Musk.

Brenda dy viteve, Musk ishte transferuar në Universitetin e Pensilvanisë me bursë të pjesshme. Për ta mbuluar pjesën tjetër të pagesës, Musk me një shok të vet e kishin shndërruar shtëpinë e tyre si klub nate gjatë vikendeve, duke u marrë nga 5 dollarë secilit që hynte aty. ‘E paguaja vet kolegjin dhe brenda nate mund t’i fitoja paratë për ta paguar qiranë e tërë muajit’, ka thënë Musk.

46 vjeçari ka diplomuar në fizikë dhe ekonomi, ndërsa ishte shpërngulur në Stanford për të përfunduar doktoraturën. Ai kishte hequr dorë nga shkolla brenda pak ditëve, pasi kishte zbuluar një startup interneti me vëllanë e tij. Ata kishin filluar ‘Zip2’ me ndihmën e parave të babait të tyre.

Katër vite më vonë, pra në vitin 1999, ata e kishin shitur ‘Zip2’ për 307 milionë dollarë, ku Musk kishte fituar vetëm 22 milionë dollarë nga to. Ai kishte investuar më shumë se gjysmën e fitimeve të tij për ta bashkë-themeluar ‘X.com’ – shërbim online i bankave.

Kompania shumë shpejt ishte bashkuar me rivalin e vet dhe ishte shndërruar në ‘PayPal’, ku Musk i kishte shumicën e aksioneve. Në vitin 2002, eBay e kishte blerë ‘PayPal’-in dhe Musk ishte larguar me 180 milionë dollarë në xhep.

Pas kësaj, vëmendja e ndërmarrësit 46 vjeçar ishte shpërngulur në kompaninë e tij të re për eksplorimin e hapësirës, SpaceX. Disa vite më vonë ai kishte bashkë-themeluar kompaninë që merret me prodhimin e veturave elektrike, ‘Tesla’, pastaj kompaninë SolarCity.

Suksesi i këtyre kompanive ia kishte siguruar atij një biletë në klubin e miliarderëve – por jo para se të mbeste pa asnjë cent në xhep.

Në fund të vitit 2008, Musk ishte shkurorëzuar nga gruaja e parë dhe kjo i kishte shkaktuar humbje të madhe financiare. Një vit më vonë, Musk kishte thënë se ka mbetur pa asnjë cent dhe jetonte duke huazuar nga miqtë përderisa mundohej t’i mbante gjallë kompanitë.

Por kur Tesla kishte debutuar në vitin 2010, pasuria e 46 vjeçarit kishte arritur majat. Në vitin 2012, ai kishte arritur të futej në listën e ‘Forbes’ me personat më të pasur në botë.

Ndërsa sot Musk ka një pasuri më të madhe se 20 miliardë dollarëve – dhe nuk i vjen turp kur është fjala për të shpenzuar.

46 vjeçari posedon prona në vlerë prej 70 milionë dollarëve në lagjen Bel-Air të Los Angeles-it.

Si drejtor i një kompanie që merret me prodhimin e kerreve, nuk është çudi se Musk është adhurues i veturave. Në vitin 2013, ai ka paguar 920,000 dollarë në një ankand për të blerë një veturë nëndetëse që është përdorur në filmat ‘James Bond’. Përveç veturave Tesla, ai i posedon edhe dy vetura tjera: Ford Model T dhe Jaguar E-Type Series 1 Roadster.

Megjithatë, Musk është pak më i rreptë sa i përket pushimeve. Në vitin 2015, ai kishte rrëfyer se ka pushuar vetëm dy javë qysh prej kur ka themeluar SpaceX – pra 2 javë pushim për 12 vite punë. Kolegët raportojnë se ai punon deri në 90 orë brenda jave.

Në vitin 2012 ai kishte nënshkruar një premtim, ku thotë se shumicën e pasurisë së tij do ta jep për donacione gjatë jetës së tij. Përveç donacioneve të zakonshme, Musk së fundmi ka dhuruar si donacion 10 milionë dollarë për ta rregulluar inteligjencën artificiale.

Në fund të ditës, miliarderit i pëlqejnë hobitë si muzika, video-lojërat dhe leximi i librave.

COMMENTS