Shtëpia e Sportit në Prishtinë kalon në pronësi të MKRS-së

Shtëpia e Sportit në Prishtinë kalon në pronësi të MKRS-së

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që të autorizojë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të ndërmarrë tërë veprimet e nevojshme për shpronësimin e pronës së paluajtshme, përkatësisht Shtëpisë së Sportit në Prishtinë (ish-Sllovenia Sport)

Objekti, në të cilin janë të vendosur Departamenti i Sportit, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe shumica e federatave të Kosovës, me këtë vendim të Qeverisë pritet të kalojë në pronësinë e MKRS-së.

Ministria e vlerëson se kalimi i Shtëpisë së Sportit në pronësi të saj bëhet me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e sportit në Republikën e Kosovës.

Ministri Kujtim Gashi në fjalën e tij në mbledhjen e Qeverisë ka argumentuar se ‘Objekti i Shtëpisë së Sportit është objekt me interes publik, në të cilin janë të vendosura Departamenti i Sportit, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe shumica e federatave sportive, të cilat aty i zhvillojnë të gjitha aktivitetet e tyre administrative. Marrja e këtij autorizimi neve do të na mundësojë që menjëherë t’i fillojmë punët përgatitore për kryerjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për shpronësimin e këtij objekti’.

‘Gjatë kryerjes së punëve përgatitore do të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet relevante në kompletimin e elaboratit të kësaj lënde dhe të njëjtën do ta përcjellim sipas procedurave të rregullta në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor për shqyrtim të mëtutjeshëm’, ka shtuar ministri.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet në vazhdimësi e përkushtuar që të zhvillojë politika të qëndrueshme në mënyrë që të përmirësojë infrastrukturën sportive në vend. Objekti simbol i sportit para dhe pas luftës, ‘Shtëpia e Sportit’ duhet të vazhdojë të mbetet pjesë e infrastrukturës fizike të ministrisë dhe nuk duhet të tjetërsohet, është konstatimi i MKRS-së.

COMMENTS