Shoshi me titull të rëndësishëm në edicionin e parë si profesionist

Shoshi me titull të rëndësishëm në edicionin e parë si profesionist

Lis Shoshi vlerëson lart edicionin e tij të parë në basketbollin profesionist. 23-vjeçari nga Peja ka nisur edicionin 2017\18 te Sigal Prishtina, ndërsa në pjesën e dytë të edicionit po luan në një vend që jeton me basketbollin – në Lituani.

Në Lituani po kompletohet si lojtar dhe tashmë ka fituar një trofe me peshë. Skuadra e tij, Pieno Zvaigzdes të enjten fitoi titullin në Ligën Baltike në Basketboll (BBL), një ligë rajonale kjo me ekipe nga Lituania, Letonia e Estonia, por edhe nga Bjellorusia e Kazakistani, shkruan sot ‘Koha Ditore’. Për skuadrën e Shoshit ishte titulli i parë në ligën që zhvillohet prej vitit 2004.

‘Viti i parë në nivelin profesional është duke shkuar mirë. Fillimisht u paraqita me Prishtinën në gara evropiane e më pas kalova në një vend si Lituania, ku populli jeton me basketboll. Lituania ka traditë shumë të pasur në basketboll e po ashtu suksese kulmore. Kalimi në Pieno Zvaigzdes ishte më se i nevojshëm për mua. Liga është e nivelit shumë të lartë dhe çdo xhiro është sfiduese. Shumica e ndeshjeve mbyllen me rezultat të përafërt, ndonëse dy ekipet e para, Zhalgirisi dhe Lietuvas Rytas janë para të tjerave. Në Ligën e Lituanisë jam adaptuar shumë shpejt dhe jam duke fituar përvojë dhe duke mësuar gjëra të reja dita-ditës’, ka thënë Shoshi të dielën për gazetën.

COMMENTS