Shoqëria civile: MD të tërhiqet nga ndryshimet në Kodin Penal

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Organizata Çohu, Instituti Demokratik i Kosovës dhe Këshilli i Mediave t

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Organizata Çohu, Instituti Demokratik i Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës përmes një komunikate për media kanë bërë të ditur se kundërshtojnë fuqishëm draftligjin e hartuar të Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi sipas tyre shkel parimet fundamentale të një shteti demokratik.

Organizatat e shoqërisë civile në fjalë, thonë se draftligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë është hartuar në një proces krejtësisht të mbyllur, pa u thirrur grupi punues përkatës, dhe është nxjerrë në publik në një mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme.

“Qëllimi i Ministrisë së Drejtësisë që të kriminalizojë lirinë e shprehjes përbën një hap drejtë autoritarizimit të Kosovës, dhe në kundërshtim të plotë me rrugën e reformave Evropiane për të cilat Republika e Kosovës duhet të jetë e përkushtuar”, thuhet në komunikatë.

Ndryshimet e propozuara nga MD, sipas organizatave në fjalë, përbëjnë hap drejt kontrollit të fjalës së lirë për të kritikuar institucionet e larta të Republikës së Kosovës përmes procedurës penale, standard i cili, sipas tyre, do të ngulfasë lirinë e fjalës publike si instrument për të kërkuar përgjegjësi institucionale dhe politike.

Për më shumë, ndryshimet e propozuara në draftligjin në fjalë, në veçanti neni 6 i draftligjit që i referohet nenit 134 të Kodit Penal nuk janë hapur dhe diskutuar asnjëherë në takimin e grupit punues për këtë draftligj, thuhet më tej në komunikatë.

“Ne kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë që menjëherë të tërhiqet prej një draftligji të tillë, dhe të kërkojë falje publike për këtë veprim autoritar të saj, i cili ka cenuar seriozisht kredibilitetin e institucionit dhe politikbërjes në Kosovë. Gjithashtu, i bëjmë me dije ministres së Drejtësisë që rruga evropiane e Kosovës nuk mund të vihet përpara sfidave të tilla në një mënyrë kaq të papërgjegjshme”, thuhet në komunikatën e organizatave të shoqërisë civile, të cilat paralajmërojnë se në të kundërtën do të marrin çdo hap për të penguar që një draftligj i tillë të miratohet në Kuvendin e Kosovës./KP/

COMMENTS