Shënohet Dita e të pagjeturve dhe martirëve në Mitrovicë

Shënohet Dita e të pagjeturve dhe martirëve në Mitrovicë

Në ‘Shtëpinë Muze’ që ndodhet në ‘Lagjen e boshnjakëve’ në veri të Mitrovicës, është shënuar sot Dita e të pagjeturve dhe martirëve, ku janë përkujtuar 116 të pagjeturit shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës, si dhe 620 martirë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

Familjarë të të pagjeturve e të martirëve, dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës, përfaqësues të institucioneve, si dhe një numër i qytetarëve, kanë vendosur lule pranë pllakës me emrat e martirëve.

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit të Kosovës për çështjen e personave të zhdukur, tha se Mitrovica sot ka shumë dhimbje e lot, por edhe pas 19 viteve është krenare e stoike.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk do të heq dorë nga veriu dhe është duke bërë gjithçka për ta bashkuar këtë qytet, ndërsa do të punojë deri në zbardhjen e fatit të njeriut të fundit në vend.

‘Mitrovica sot me siguri ka shumë dhimbje e lot, mirëpo edhe pas 19 viteve Mitrovica është krenare dhe stoike…Nuk kemi hequr dorë asnjëherë dhe nuk do të heqim dorë nga pjesa jonë e Mitrovicës dhe unë shpresoj se qeveria me kryeministrin Haradinaj është duke bërë çdo gjë për ta bashkuar Mitrovicën dhe për të qenë bashkë me ju….Qeveria e Kosovës ka prioritet çështjen e martirëve dhe të zhdukurve dhe nuk do të heqim dorë për asnjë moment deri në zbardhjen e fatit të njeriut të fundit të Kosovës’, ka thënë Lluka.

Ai premtoi se projekti i Muzeut do të futet ndër prioritetet e qeverisë dhe do të finalizohet vitin e ardhshëm, kur edhe do të shënohet 20 vjetori i të pagjeturve dhe martirëve të kësaj ane.

Përfaqësuesi i familjeve të personave të pagjetur, Bajram Çerkini, ka potencuar dy probleme si shqetësim jashtëzakonisht të madh, zbardhjen e fatit të të pagjeturve, si dhe injorimin e plotë të zyrtarëve komunalë ndaj kësaj ngjarje.

Ai kërkoi nga organet përgjegjëse t’i përmbushin premtimet, në mënyrë që ‘Shtëpia muze’ të rregullohet dhe të marrë pamjen që e meriton vitin e ardhshëm.

‘Kemi dy probleme shumë të mëdha, zbardhja e fatit të të pagjeturve. Në Mitrovicë kemi 116 të pagjetur, kanë qenë gjithsej 338, andaj nuk guxojmë të themi se nuk është bërë asgjë. Problemi i dytë që është mëkat shumë i madh po më vjen shumë keq, por me shku me xhipa, kurse nesër është Dita e eksodit në Kukës, dhe këtu sot nuk janë, ndërsa kanë premtuar katër vite se ky muze do të rregullohet…Ju kisha lutur, atë që e premtoni edhe ta realizoni dhe vitin e ardhshëm kur bëhet 20 vjetori, të realizohet ky projekt’, theksoi Çerkini.

Në anën tjetër, Murat Isufi, shef i Zyrës së Mirëqenies Sociale në komunën e Mitrovicës, tha se martirët do të jetojnë gjithmonë dhe se vepra e tyre është e pavdekshme.

‘Dëshmorët dhe martirët kanë vetëm datë të lindjes, por jo edhe të vdekjes, sepse këta do të jetojnë gjithmonë, do të jenë edhe atëherë kur ne nuk jemi, vepra e tyre e pavdekshme’, tha ai.

Ndryshe, pas kësaj ceremonie janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora me lule edhe në varrezat e martirëve në Shipol.

COMMENTS