Shënohet 20-vjetori i themelimit të UÇK-së në Vaganicë të Mitrovicës

Shënohet 20-vjetori i themelimit të UÇK-së në Vaganicë të Mitrovicës

20 marsi i vitit 1998 është ditë e shenjtë për fshatin Vaganicë dhe fshatrat përreth, dhe do të shënohet si njëra ndër ditët më të rëndësishme të kësaj ane për guximin dhe trimërinë që treguan luftëtarët e UÇK-së.

Kështu u tha sot me rastin e shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Njësitit të parë të UÇK-së në rajonin e Mitrovicës.

Për nder të kësaj dite, ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfaqësues të shoqatave të luftës, si dhe banorë të fshatit Vaganicë dhe më gjerë, kanë marrë pjesë në manifestimin që u mbajt te shtëpia ku dikur ishte shtabi i UÇK-së në këtë fshat.

Gani Lahu, ish-komandant i Batalionit të Dytë të Brigadës 142, duke përshkruar kronologjinë e ngjarjeve më të rëndësishme gjatë luftës, tha se fshati Vaganicë ka qenë çdoherë i lidhur me luftëtarët e lirisë si Azem e Shotë Galica, e deri te lufta më e re e Adem Jasharit.

‘Nuk ishte e rastit që formimi i UÇK-së të gjejë përkrahje të madhe në këtë fshat, ngase këtu përkrahja e luftës për liri dhe bashkim kombëtar ka qenë e pranishme në të gjitha fazat e luftërave për çlirimin e vendit’, tha mes tjerash Lahu, raporton KP.

Jetullah Dibrani, njëri nga themeluesit e Njësitit, tha se pas masakrës në fshatrat Qirez e Likoshan, si dhe pas sulmit ndaj familjes Jashari, u bë e qartë se nuk ka rrugë tjetër, përveç se pushtuesit t’i kundërvihet me armë.

Sipas tij, puna dhe angazhimi i jashtëzakonshëm i këtyre ushtarëve të parë, ka mundësuar rritjen e numrit të pjesëtarëve të UÇK-së për një kohë shumë të shpejtë.

‘Pas masakrës në fshatrat Qirez e Likoshan, si dhe pas sulmit ndaj komandantit legjendar Adem Jashari, u bë e qartë se nuk ka rrugë tjetër, përveç se pushtuesit t’i kundërvihet me armë…Fal punës dhe angazhimit të ushtarëve të parë, krijohen kushte dhe dukshëm rritet numri i vullnetarëve’, theksoi Dibrani.

Ismet Haxha, po ashtu njëri nga bashkëthemeluesit e parë të Njësitit ‘Vaga’, tha se nderi dhe përulja u takon atyre që kanë sakrifikuar jetën për liri.

‘Sot kujtojmë 20- vjetorin e themelimit të Njësitit të UÇK-së Vaga në Vaganicë. Pata nderin dhe krenarinë që isha bashkëthemelues i këtij Njësiti, ndërsa sot përulemi para atyre që dhanë jetën për lirinë të cilën e gëzojmë ne sot’, ka thënë Haxha.

Ndryshe, në fund të këtij manifestimi, në shenjë respekti për kontributin e dhënë në shërbim të atdheut, u ndanë mirënjohje për disa individë.

COMMENTS