SHBA të shqetësuara me synimin për shndërrimin e FSK-së në ushtri, pa ndryshime kushtetuese

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara për synimin e paralajmëruar të Kosovës për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) pa amandamentim kushtetues. Ky qëndrim, është bërë publik përmes një deklarate për media të lëshuar nga ambasada amerikane në Prishtinë.

‘Ne e mbështesim transformimin gradual dhe transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike në përputhje me standardet e NATO-s. Megjithatë, ky transformim duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës dhe përfaqësues që pasqyron demokracinë shumetnike të Kosovës’, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.

‘Ne jemi të gatshëm të angazhohemi në një proces këshillues me të gjithë hisedarët për ta arritur qëllimin tonë të përbashkët për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mënyrë të tillë që e rritë sigurinë e Kosovës, i kontribuon stabilitetit rajonal, dhe që përkrahë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik’, theksohet në deklaratë.

‘Miratimi i ligjit të propozuar tani do të na detyronte që ta rivlerësojmë bashkëpunimin tonë dypalësh me forcat e sigurisë të Kosovës si dhe ndihmën tonë afatgjatë për këto forca’, përfundon deklarata e ambasadës amerikane, që pasoi propozim – ligjin e presidentittë Kosovës, Hashim Thaçi që mandati i FSK-së nga një forcë për reagime emergjente të kthehet në forcë ushtarake.

COMMENTS