SHBA-ja mbështet Kosovën edhe në fushën e mjedisit

SHBA-ja mbështet Kosovën edhe në fushën e mjedisit

Në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Washington, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj, u prit në takime të ndara nga zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit si dhe nga gra ambasadore dhe lidere të botës.

Siç njofton komunikata nga kjo ministri, në takim me zv/Sekretaren e Shtetit Amerikan, Judith Garber dhe kabinetin e saj, Reshitaj falënderoi për ndihmën që SHBA-të kanë dhënë dhe po japin për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

Reshitaj u shprehë se gjeneratat e reja në Kosovë po rriten me ndjenjën e respektit e miqësisë për popullin amerikan .

‘Duke qenë të vetëdijshëm për konfliktet e vazhdueshme ndërmjet popujve të Ballkanit në shekullin e kaluar, ne besojmë se tani është koha për të ecur përpara dhe për të ndërtuar paqe të qëndrueshme, e pikërisht besimi dhe paqja midis kombeve mund të ndërtohen edhe përmes diplomacisë dhe projekteve të përbashkëta mjedisore. Unë kam takuar ministrat e mjedisit të shteteve fqinjë dhe kam propozuar projekte të përbashkëta mjedisore pasi që përtej dallimeve etnike e fetare mjedisi nuk njeh kufij’, tha nder të tjerash ministrja Reshitaj.

Ndërkaq zv/Sekretarja e Shtetit Amerikan Judith Garber përgëzoi ministren për iniciativat e saj miqësore me mjedisin, duke ofruar mbështetjen e pa rezervë të shtetit amerikan për Kosovën dhe të ardhmen e saj euro-atlantike.

‘Ne jemi të nderuar që patëm mundësi të ndihmojmë Kosovën në rrugën e saj për liri e shtet ndërtim dhe kjo ndihmë do të vazhdojë. Jam e lumtur që shoh gra të tilla të guximshme që ballafaqohen me sfidat dhe kanë ide e projekte konkrete zhvillimore për vendin dhe mjedisin ne veçanti’, u shprehë Judith Garber.

COMMENTS