‘SHBA-ja do të merret pak me Ballkanin, por politika ndaj Kosovës s’do të ndryshojë’

Administrata e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në krye me Donald Trump do të angazhohet më pak për Ballkanin në përgjithësi, por linjat e përgj

Administrata e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në krye me Donald Trump do të angazhohet më pak për Ballkanin në përgjithësi, por linjat e përgjithshme të SHBA-së karshi Kosovës nuk pritet të ndryshojnë, ka thënë në një intervistë për Deutsche Welle, Stefan Lehne, ekspert për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian në fondacionin ‘Carnegie Europe’, në Bruksel.

‘E kuptoj se në Serbi ka njerëz që shpresojnë se Trump do të largohet nga mbështetja tradicionale për Kosovën, por unë do të habitesha shumë nëse do të kishte ndryshime tejet themelore në politikën amerikane në këtë drejtim’, pohon Lehne.

‘Ajo që mund të thuhet me shumë gjasa është që Ballkani nuk gjendet në prioritetet e administratës së re. Ata kanë shqetësime të tjera, Kina, Meksika, Rusia. Ballkani zë një vend të vogël aty’.

Eksperti thotë se mbase me Hillary Clinton në Shtëpinë e Bardhë gjërat do të ishin ndryshe.

‘Ndoshta me zonjën Clinton mund të ishin ndryshe gjërat, për shkak të përvojave të saj personale, si gruaja e ish-presidentit amerikan në vitet ‘90-ta, ajo mund të kishte pasur një lidhje më të fortë me këtë rajon’.

‘Por nga ana përmbajtjesore, nuk mendoj se politika amerikane do të ndryshojë shumë, nuk kemi deri më tani ndonjë deklaratë nga ndonjë funksionar. Mendoj se angazhimi do të jetë më i vogël, por kjo nuk do të thotë që s’do të ketë vendin e vet, sepse amerikanët kanë një influencë shumë të madhe në rajon, e mendoj se ambasadorët do të mbeten aktorë të rëndësishëm, edhe ndoshta nëse kanë më pak mbështetje nga Uashingtoni, gjithsesi roli i tyre do të jetë i fortë’.

COMMENTS